
Ish-kryeministri Sali Berisha ka shpërthyer në një tjetër deklaratë të fortë kundër kryeministrit Edi Rama dhe medias së kontrolluar nga qeveria, duke marrë si referencë një artikull të publikuar nga Fox News që e cilëson Ramën si “Ramaduro i Europës”.
Në një reagim nga zyra e tij për median, Berisha e quajti “zhvillim jashtëzakonisht të rëndësishëm” faktin që një nga mediat më të mëdha në SHBA, siç është Fox News, ka përdorur këtë cilësim për Ramën në kulmin e krizës në Lindjen e Mesme. Sipas tij, mediat ndërkombëtare po ekspozojnë gjithnjë e më shumë lidhjet dhe deformimet demokratike të qeverisë shqiptare.
“Nuk ndodh kurrë që një media botërore siç është Fox apo të tjera, të pranojnë tituj të cilët nuk qëndrojnë,” – deklaroi Berisha. Ai i kërkoi konkretisht Vjollca Hoxhës, duke e ditur ende drejtuese të Top Channel (ka 3 vjet që drejtimin e ka trashëgimtarja e madhe e Dritan Hoxhës) që para se të publikojë editoriale që sipas tij mbrojnë Ramën dhe sulmojnë median ndërkombëtare, të bëjë kontrollet e duhura dhe të respektojë standardet gazetareske. Nuk dihet nëse ky është lapsus apo i qëllimshëm nga Berisha i cili ka ushtarët e vet Duma & CO të instaluar në Top Channel. Më pas sqaroi se editoriali ka qenë në Top News (Tv i drejtuar nga nje person ne kerkim nga SPAK per aferen e inceneratoreve)
Berisha theksoi se lufta e opozitës do të vazhdojë “gjer ditën e rikthimit të votës së lirë të shqiptarëve”, ndërsa akuzoi qeverinë se po dhunon vullnetin e qytetarëve dhe po kontrollon fjalën e lirë.
“Armiku më i egër i individit është ai që i dhunon votën dhe fjalën e lirë. Nuk ka armik më të egër për njeriun se sa ai që nuk të lejon të votosh,” – u shpreh Berisha.
Ish-kryeministri riktheu në vëmendje zgjedhjet e 11 majit, të cilat i konsideroi një farsë elektorale, duke akuzuar qeverinë për manipulime të thella, ndërsa i quajti “absurde” përpjekjet për të shpërqendruar vëmendjen me argumentin se lufta në Lindjen e Mesme ka errësuar interesin për zhvillimet në Shqipëri.