
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar pas takimit të një grupi eksponentësh të PD-së, mes tyre edhe Ervin Salianji, takim i cili ka marrë vëmendje të konsiderueshme mediatike. Në një prononcim për News24, Berisha u shfaq i qetë dhe ironik ndaj zhurmës së krijuar, duke theksuar se “takimet në kafe nuk janë lajm” dhe se PD mbetet “partia më e hapur dhe demokratike e këtij vendi”.
Berisha u pyet drejtpërdrejt për angazhimin e figurave që kanë marrë shumë vota në garat e fundit dhe për zërat kritikë që kërkojnë nisjen e analizës së brendshme. “Procesi i analizës ka nisur, udhëzimet janë dhënë. Kjo nuk përbën asnjë risi”, tha ai, duke e cilësuar debatin mediatik si “përdorim për të mbuluar superskandalet e Ramës dhe Lubonjës”.
Por mesazhi më i fortë i tij kishte adresim të qartë: Ervin Salianjit. Pa e përmendur me emër në ton kritik, Berisha la të kuptohej se lëvizjet jashtë strukturave nuk kanë peshë reale në parti.
“Ervin Salianji është anëtar i Kryesisë së PD dhe ka vendin ku t’i shprehë mendimet”, deklaroi ai, duke theksuar se për çdo diskutim ka instanca të përcaktuara dhe jo “kafe publike”.
Kreu i PD nënvizoi se çdo demokrat është i mirëpritur të shprehë pikëpamjet e tij “në zyrë” dhe se diversiteti i mendimit ka qenë gjithmonë pjesë e PD-së. Ndërkohë, ai kujtoi se “njerëzit që kanë marrë më shumë vota janë në Parlament”, një frazë që u lexua gjerësisht si goditje e tërthortë ndaj Salianjit dhe grupit të tij.
Berisha mbylli prononcimin duke dhënë mesazhin se askush nuk përjashtohet, por gjithçka duhet të zhvillohet brenda rregullave të partisë.




