Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, prezantoi këtë të martë platformën kundër shpopullimit, duke propozuar një paketë masash financiare për familjet me fëmijë, si përgjigje ndaj asaj që ai e cilësoi “katastrofë ekzistenciale demografike” për Shqipërinë.

Berisha deklaroi se PD synon të nisë zbatimin e kësaj platforme që me buxhetin e vitit të ardhshëm, duke vendosur mbështetje të drejtpërdrejtë financiare për çdo fëmijë të lindur, sipas renditjes në familje. Sipas tij, fëmija i parë do të përfitojë 1 mijë euro, fëmija i dytë 2 mijë euro, i treti 3 mijë euro, ndërsa për fëmijën e katërt dhe më tej bonusi do të arrijë në 5 mijë euro.

Ai theksoi se, bazuar në rreth 30 mijë lindje në vit, kostoja totale e kësaj pakete vlerësohet në afro 60 milionë euro në vit.

Përveç bonusit të njëhershëm në lindje, Berisha njoftoi edhe bonuse mujore për fëmijët. Sipas platformës së PD-së, çdo fëmijë deri në moshën 6 vjeç do të përfitojë 50 euro në muaj, ndërsa për fëmijët nga 6 deri në 18 vjeç, bonusi mujor do të jetë 60 euro. Kostoja vjetore për këtë masë, sipas përllogaritjeve të PD-së, arrin në rreth 15 milionë euro.

Paketa përfshin gjithashtu lehtësira të tjera për familjet me më shumë fëmijë. Kreu i PD-së tha se për fëmijën e tretë dhe për çdo fëmijë pas tij do të ketë zero pagesë për çerdhe dhe kopshte, me shpenzimet që do të mbulohen tërësisht nga shteti. Kjo masë, sipas Berishës, do të mbështesë të paktën 15 mijë fëmijë në vit, me një kosto rreth 5 milionë euro nga buxheti.

Një tjetër element i platformës është rimbursimi i plotë i ilaçeve për fëmijën e tretë dhe më tej, deri në vlerën 120 euro në vit për çdo fëmijë. Sipas Berishës, nga kjo masë pritet të përfitojnë rreth 8 mijë fëmijë, me një kosto vjetore rreth 1 milion euro.

Sipas kreut të PD-së, të gjitha këto masa synojnë të frenojnë shpopullimin, të rrisin lindshmërinë dhe të krijojnë një mbështetje reale për familjet shqiptare, duke e vendosur politikat demografike në qendër të programit ekonomik dhe social të opozitës.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu