
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka bërë thirrje për një protestë kombëtare më 24 janar, duke ftuar qytetarët, intelektualët dhe të rinjtë të bashkohen në atë që e cilësoi si “front i vërtetë opozitar” për përmbysjen e regjimit aktual.
Gjatë fjalës së mbajtur mbrëmjen e sotme në Foltoren para Kryeministrisë, Berisha deklaroi se viti 2026 do të jetë “viti i përmbysjes së diktaturave”, duke e krahasuar Shqipërinë me vendet ku, sipas tij, qytetarët po ngrihen kundër regjimeve autokratike.
“Asgjë nuk mund të ndalë një popull të vendosur për liri. Edhe në Shqipëri po vjen momenti i ndryshimit”, u shpreh Berisha.
Kreu i PD-së akuzoi kryeministrin Edi Rama për përpjekje për grusht shteti dhe për bllokim të sistemit të drejtësisë, duke e cilësuar qeverisjen si një regjim autokratik dhe kleptokratik, që sipas tij mbahet në këmbë nga mashtrimi, propaganda dhe korrupsioni.
“Ky është një regjim që kudo ta prekësh, rrjedh vjedhje. Një regjim që pret ndëshkimin e merituar nga qytetarët”, deklaroi Berisha, duke shtuar se vendimet në Shqipëri, sipas tij, merren nga kartelet e drogës dhe jo nga institucionet.
Duke folur për protestën e 24 janarit, Berisha theksoi se ajo do të jetë paqësore, por e vendosur, dhe se opozita do të japë mesazhe të qarta kundër asaj që ai e quajti “narko-diktaturë”.
“Hiqni dorë nga shkelja e Kushtetutës dhe ligjit. Përndryshe, qytetarët do të reagojnë me forcën e bashkimit dhe guximit të tyre”, u shpreh ai.
Berisha u bëri thirrje të rinjve që të marrin rol aktiv në protestë, duke e cilësuar brezin e ri si “gjenerata e misioneve të mëdha”, ndërsa ftoi intelektualët të dalin nga konformizmi dhe të angazhohen për ndryshim.
Ai e mbylli fjalën me thirrje për unitet dhe angazhim qytetar, duke deklaruar se ka ardhur koha që qeveria të përballet me zemërimin e shqiptarëve dhe me kërkesën për një ndryshim rrënjësor.






