Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në një deklaratë për mediat, u shpreh se prokurori i çështjes së tunelit të Llogarasë “ka bërë punën e tij”, ndërsa sipas tij presionet, kërcënimet dhe frika ndaj drejtësisë vijnë drejtpërdrejt nga kryeministri Edi Rama.

“Ky i kërcënon. Ky i zhduk. E zhduku Ervis Martinin. Ta di targën, i tha, iku. Nuk i di kush nam e nishan atij”, u shpreh Berisha, duke aluduar se njësoj është kërcënuar edhe prokurori i çështjes.

Sipas tij, aferat korruptive të qeverisë po dalin në dritë, ndërsa “dera e hapur nga prokurori nxori lakuriq rolin e Ramës në këtë aferë”.

Në një tjetër reagim, Berisha paralajmëroi nisjen e protestave të reja politike, duke theksuar se qëllimi i vetëm është largimi i Edi Ramës nga pushteti.

“Kësaj here kemi djallin për brirësh. Do të nisim protestat të cilat do të ndalen vetëm kur Edi Rama të largohet nga ajo zyrë”, deklaroi ai.

Berisha tha se protestat 46-javore të drejtuara më herët nga Belind Këlliçi, ndikuan në finalen politike për Veliajn, dhe sipas tij “shpëtuan vendin nga njëra gjysmë e zezë e Ramës”, ndërsa tani “gjysma tjetër është edhe më e zezë”.

“Demokratët duhet të përballen me Sulltanin. Ndryshe nuk kanë asnjë të drejtë morale të dalin para zgjedhësve”, tha më tej Berisha, duke akuzuar Ramën si përgjegjës kryesor për aferat, përfshirë tunelin dhe aeroportin e Vlorës.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu