Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka hedhur akuza të forta ndaj qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama, duke e cilësuar dosjen e Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) si “edhe më të zezë” se çështjet e tjera të hetuara.

Sipas Berishës, në qendër të kësaj dosjeje qëndron një rrjet i fshehtë interesash, ku protagonist kryesor në hije është Armand Frangu, ndërsa një rol kyç, sipas tij, ka edhe Ergys Agasi, të cilin e quan “intim” të kryeministrit. Berisha pretendon se Agasi është futur në biznes më 15 shtator me një kapital fillestar prej vetëm 1 mijë eurosh dhe ka dalë në dhjetor me 234 milionë euro fitim.

“Ky njeri rezulton në librat e shtetit me fitime përrallore, që nuk i ka njohur njeriu në historinë e njerëzimit. Brenda 5 muajve, kapitali i tij fillestar është shumëzuar 22 milionë herë,” deklaroi Berisha, duke e cilësuar këtë si të pamundur në kushte normale tregu.

Në deklaratën e tij, kreu i PD-së akuzon AKSHI-n si një agjenci që varet drejtpërdrejt nga kryeministri dhe e përshkruan atë si “kopsht privat” të Edi Ramës. Ai shton se kompani të ndryshme, të regjistruara me emra të ndryshëm, kanë shërbyer për të legalizuar, sipas tij, një proces “ultra-mafioz” në tendera, përmes ofertave fiktive dhe anulimeve të qëllimshme të garave.

Pamje dhe akuza për eskortë zyrtare

Në një tjetër njoftim për shtyp, Berisha deklaroi se ka publikuar pamje që, sipas tij, tregojnë se Ergys Agasi lëvizte me eskortën e kryeministrit. Ai pretendon se Agasi është parë duke udhëtuar me automjetin e tij tip Range Rover brenda eskortës së Ramës dhe se është gjobitur pasi ka parkuar pranë banesës së kryeministrit në Surrel.

Sipas Berishës, dy automjete me targa të lidhura me Agasin kanë qenë pjesë e eskortës dhe njëra prej tyre është gjobitur për parkim të ndaluar pranë rezidencës së Ramës. “Askush nuk mund të parkojë aty. Ajo zonë është shpallur zonë krimi nga opozita, sepse çdo metër katror është ndërtuar mbi vjedhje të qytetarëve shqiptarë,” u shpreh ai.

Deklaratat u shpërndanë nga Partia Demokratike, e cila kërkon hetim të plotë dhe transparencë mbi çështjen, duke akuzuar qeverinë për mbrojtje dhe favorizim të personave të lidhur me pushtetin.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu