
Kryetari i Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha, ka hedhur akuza të forta ndaj kryeministrit Edi Rama, duke deklaruar se ky i fundit ka shfaqur sjellje të paprecedenta ndaj oficerëve të Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), të cilët, sipas tij, janë ndaluar dhe më pas janë detyruar të çarmatosen përpara se të hyjnë në ambientet e sigurisë.
Berisha u shpreh se Rama vuan nga fobi dhe frikë e thellë për shkak të aferave të rënda korruptive në të cilat është i përfshirë. Sipas tij, kryeministri ka menduar se oficerët e BKH-së mund të sillnin një urdhër-arresti ndaj tij, çka e ka shtyrë të ndërmarrë veprime që nuk kanë ndodhur kurrë më parë.
“Ai ka kërkuar që oficerët të lënë armët, ‘patllaket’, siç i quan me përçmim, tek oficeri i rojës. Kjo nuk ka ndodhur asnjëherë. Këto janë fobitë e Edi Ramës, sepse halli i tij është shumë i madh”, u shpreh Berisha.
Kreu i PD-së e lidhi këtë situatë me aferën e tunelit të Llogarasë, duke deklaruar se Edi Rama është edhe më i implikuar sesa zv/kryeministrja Belinda Balluku. Sipas Berishës, Rama ka qenë personalisht i përfshirë në organizimin e takimeve në Ankara me kompanitë fituese të tenderit, të cilat, sipas tij, kanë përfituar 50 milionë euro më shumë.
Berisha përmendi gjithashtu akuza të tjera të rënda, duke iu referuar deklarimeve të ish-zv/kryeministrit Arben Ahmetaj, i cili, sipas tij, e ka cilësuar AKSHI-n si “kopsht privat” të Edi Ramës dhe një nga epiqendrat më mafioze të korrupsionit. Ai foli për regjistrime që, sipas tij, implikojnë persona të afërt me kryeministrin në përfitime qindra milionëshe, manipulime tenderash dhe presione ndaj zyrtarëve.
“Në këtë skemë ka grabitje biznesmenësh, njëri prej të cilëve ndodhet sot në Gjermani, pengmarrje të zyrtarëve dhe përpjekje për të zhdukur dosje ku përmenden emra të afërt me kryeministrin. Imagjinoni çfarë do të ndodhte nëse këta oficerë do të shkonin në Surrel për të kërkuar dokumente”, deklaroi Berisha.
Në përfundim, kreu i PD-së u shpreh se Edi Rama po mbron vetëm veten e tij dhe se, sipas tij, ai po përdor frikën, paratë dhe pushtetin për të vijuar atë që e cilësoi si “vjedhje të mbrojtur nga gjykatat”.






