
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë pushimit të seancës plenare, zhvilluar jashtë sallës së Kuvendit, akuzoi drejtuesin e SPAK, Altin Dumani, se po mbron ministren e Infrastrukturës, Belinda Balluku, duke e hetuar vetëm për një tender supervizimi dhe jo për “50 milionë eurot e zhdukura”.
“Dumani po e mbron Ballukun. Po e heton për një tender supervizimi dhe jo për 50 milionë eurot. Ku janë 50 milionë eurot? Sa u ka kthyer qytetarëve shqiptarë kjo prokurori nga 1 miliardë e 200 milionë eurot e plaçkitura nga qeveritarët me dokumente zyrtare? Asnjë qindarkë,” – deklaroi Berisha.
Berisha e akuzoi SPAK-un dhe shumicën socialiste për bashkëpunim politik, duke thënë se “ata mund ta bëjnë këtë me mazhorancën, se janë në miqësi, jo me ne”.
“Në radhë të parë, gjer sot nuk ka pasur parlament. Por sot jemi të përgatitur për diskutime. Por në rast se partia e krimit, mazhoranca e krimit, kërkon që të mos ketë diskutime, atëherë shqiptarët duhet të dinë se ne nuk do të heshtim,” – theksoi kreu i PD-së.
Në vijim, Berisha foli edhe për raportin e OSBE/ODIHR për zgjedhjet parlamentare të 2025-s, duke thënë se “shumica e rekomandimeve nuk janë zbatuar”.
“OSBE/ODIHR nuk garanton zgjedhje të lira, por jep orientime për transparencë. Ne jemi të gatshëm t’i zbatojmë ato rekomandime,” – tha ai.
Kreu i opozitës iu përgjigj edhe debatit publik mbi dorëheqjet në qeveri, duke theksuar se, sipas tij, Rama i ka kërkuar dorëheqjen Pirro Vengut dhe jo Ballukut, siç është raportuar nga disa media:
“E morët vesh ku ia mbathi ky? A e patë se si u ngrit Pirro Vengu dhe u zhduk? Ju thoni që Rama kërkoi dorëheqjen e Belindës, por jo, ka qenë për Pirron. Të paktën Belindës mos i jepni më rëndë,” – u shpreh Berisha.
Në fund, ai paralajmëroi se opozita do të organizojë protesta të reja, duke e konsideruar të domosdoshme për të frenuar degradimin e situatës politike dhe ekonomike në vend:
“Absolutisht do ketë protesta, sepse pa protesta, situata vazhdon të degradojë gjithnjë e më shumë.”







