Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, reagoi ashpër ndaj projektligjit për barazinë gjinore, duke e cilësuar si “një përpjekje për të zëvendësuar të drejtën me ideologjinë e ekstremit të majtë”. Në një deklaratë për shtyp, Berisha akuzoi qeverinë se po përpiqet të miratojë ndryshimet ligjore në mënyrë të fshehtë, “në orën 3 të natës, kur kombi është në gjumë”, duke e quajtur këtë “një krim monstruoz”. Ai tha se ligji synon “shpërbërjen e familjes dhe kontrollin e plotë mbi fëmijët”, duke pretenduar se përmes tij “shteti do të përcaktojë gjininë që u cakton fëmijëve përmes ndërhyrjeve hormonale”.

Berisha theksoi se “Konventa e Stambollit, e firmosur nga PD, nuk përmban asnjë referencë për përkatësi të shumëfishta gjinore apo diversitete të tilla”, por vetëm për “mosdiskriminimin e burrit dhe gruas”. Ai e cilësoi projektligjin si “një sulm ndaj vlerave hyjnore dhe besimeve fetare”, duke e krahasuar me nenin që shpallte Shqipërinë shtet ateist në periudhën komuniste. Kreu i PD-së lidh propozimin me atë që ai e quajti “modeli amerikan i refuzuar nga votuesit”, duke kujtuar premtimin elektoral të kandidates Kamala Harris për mbulimin me fonde publike të operacioneve të ndryshimit të gjinisë për emigrantët ilegalë. “Këtë ofertë, këtë ligj, këtë nen e sjell në Shqipëri kukulla e Xhorxh Sorosit, Edi Rama,” – deklaroi Berisha, duke paralajmëruar se opozita “do të qëndrojë fuqishëm në parlament dhe do të nisë betejën pa kthim para ndërtesës së Këshillit të Ministrave.”

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu