Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka deklaruar se më 24 janar Shqipëria do të përjetojë protestën më të madhe kundër asaj që ai e cilëson si “narkoshtet”, duke paralajmëruar se sheshet dhe rrugët e kryeqytetit do të mbushen me qytetarë.

Gjatë fjalës së mbajtur në “Foltore” para Kryeministrisë, Berisha u shpreh se shqiptarët po e presin 24 janarin si “ditën e tyre dhe të vërtetën e tyre të madhe”, duke u bërë thirrje opozitarëve që të angazhohen maksimalisht për mobilizimin qytetar.

Sipas Berishës, këtë javë në Kongresin e Shteteve të Bashkuara është miratuar një dokument që ai e cilësoi “historik”, i cili, sipas tij, nxin figurën e kryeministrit Edi Rama, ministres Belinda Balluku dhe institucioneve shtetërore si AKSHI.

“Ky dokument denoncon atë që shqiptarët kanë protestuar: bllokimin e ligjit, arrestimet politike dhe rrezikun që përbën kapja e institucioneve për Shqipërinë, por edhe për SHBA-në dhe NATO-n,” deklaroi Berisha.

Ai shtoi se dokumenti kërkon ndërhyrjen e Uashingtonit dhe Brukselit për situatën në Shqipëri dhe se frymëzohet nga guximi i protestuesve shqiptarë.

Kreu i PD-së akuzoi qeverinë për korrupsion masiv, grabitje të pasurive publike dhe shkatërrim të shtetit ligjor, duke theksuar se “vetëm protesta dhe kryengritja paqësore” mund të sjellin ndryshimin.

“Në 24 janar, sheshet dhe rrugët e kryeqytetit duhet të shndërrohen në tmerrin e regjimit dhe në triumfin e lirisë dhe qytetarëve,” u shpreh Berisha, duke e mbyllur fjalën me thirrje për mobilizim masiv.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu