Gjatë prezantimit të programit në Kuvendin Kombëtar Sali Berisha tha se do të krijojë Ministrinë e Familjes! Programi ynë ka në themel mbështetjen e fuqishme për rininë shqiptare:

Miqtë e mi, themelet e programit të Shqipërisë Madhështore qëndrojnë para së gjithash mbi atë themel që ka shkëlqyer në shekuj, madhështia jonë komëtare, familjen shqiptare.
Familja shqiptare ka qenë dhe mbetet faktori themelor i ekzistencës së kombit shqiptar.
Ka qenë dhe mbetet faktori kryesor i dinjitetit, i solidaritetit, i njerëzisë, i edukimit të shqiptarëve.
Familja shqiptare njohu këto kohë një agresion që nuk e kishte përjetuar kurrë në historinë e saj.
Ky agresion erdhi nga ekstremi i majtë i Xhorxh Sorosit, padrinos së Edi Ramës.
Në shkolla, në kopshte, fëmijëve u mësohej të shuanin nga fjalori i tyre fjalët nënë dhe baba, prindërit t’i emërtonin me numra.
Familja, po bëhej gjithçka që të rrafshoheshin vlerat e saj.
Ne i themi jo përfundimisht kësaj politike.
Për ne, familja është sa hyjore, aq tokësore.
Vlerat e saj janë të paprekshme.
Do bëjmë gjithçka për solidaritetin, për mëkëmbjen, për mirëqenien e saj.
Qeveria e ardhshme do ketë Ministrinë e Familjes, e cila do zbatojë politikat më të avancuara të mbështetjes së familjes shqiptare.
Familja do mbështetet me bonuse për fëmijën e parë, për fëmijën e dytë, 70 euro, 60 euro.
Do mbështetet nga lindja gjer në 23 vjeç për çdo gjë për fëmijën e tretë.
Koha solli që sot me qindra e mijëra familje janë me nëna kryefamiljare.
Unë i garantoj ato se qeveria e ardhshme do bëjë gjithçka për të lehtësuar, për të zgjidhur çdo mungesë dhe çdo problem që ato kanë.
Se fëmijët e tyre do kenë 200 euro minimumin jetik.
Se qeveria do bëjë gjithçka për suksesin e bizneseve të tyre.
Miqtë e mi, tek flasim për familjen, është shumë e qartë se zemra e saj është nëna, është gruaja, është motra, është vajza shqiptare.
Ndaj dhe ne zotohemi këtu para jush se me vendosmërinë më të madhe do rrëzojmë murin e patriarkisë, këtë dhunues të verbër të të drejtave të njeriut.
I garantoj gratë dhe vajzat se do bëhet gjithçka për suksesin e tyre.
Se bizneset e tyre do mbështeten me linja të veçanta.
Se ato që quhen shtëpiake do shpërblehen për punën e tyre.
Miq, unë kam një falënderim të madh sot për gratë socialiste. Dje ato gra fisnike ia shndërruan në disfatë shoun njeriut më mizogjen në Europë, Edi Ramës.
Dhe u detyrua të thoshte se na ka parë syri i keq.
Po ti je e keqja vetë. Ku ka sy të keq që të sheh ty, ti je e keqja më e madhe.
A të keqe më të madhe se atë që i largon nënës, djalin dhe vajzën nga shtëpia për rrugët e botës?
Po a ka të keqe më të madhe për një zonjë, për një grua, për një motër, se t’u largosh burrin nga shtëpia për të siguruar kafshatën?
A ka të keqe më të madhe se ti që me bullizmin tënd ke nxitur dhunën kundër grave?
E ka me borxh të përrallisë për çdo gjë, po se flet një fjalë kurrë një grua dhunohet, se flet një fjalë kur një grua vritet barbarisht.
Kurrë ndonjëherë nuk keni për ta dëgjuar.
Po pse? Sepse në thellësinë e tij ai ka një arkaizëm, ai është një mizogjen i pakorrigjueshëm.
Dhe u garantoj se gratë dhe vajzat shqiptare do jenë ato të cilat me 11 maj do i presin biletën, do e nisin aty ku e meriton.
Miqtë e mi, programi ynë i Shqipërisë Madhështore, po të kishte një emër të dytë, do ishte programi i rinisë shqiptare.
Në 12 vite, 600 mijë të rinj kanë ikur nga Shqipëria.
Në 12 vite, Shqipëria po humbet ëndrrën e vet.
Vilson Blloshmi, një poet i pavdekshëm, Shqipërinë në diktaturë e krahason me Saharanë, dhe thotë Saharaja ëndrra nuk ka, Saharaja nuk ëndërron.
E vërteta është se në narkodiktaturë, ëndrra po i ikën Shqipërisë. Ëndrrat po i ikin çdo ditë.
Ndaj dhe ne do bëjmë gjithçka që të rinjtë shqiptarë të qëndrojnë në Shqipëri.
Do bëjmë gjithçka për shkollimin e tyre, për punësimin e tyre, çatinë e tyre, për biznesin e tyre.
Do bëjmë gjithçka që jo vetëm këta që janë këtu, por dhe ata që kanë ikur, të rikthehen në dheun e tyre dhe të ndërtojnë ëndrrën në Shqipëri. Të kthehen dhe t’i japin Shqipërisë të ardhmen që meriton.
Ndaj dhe programi ynë ka në themel mbështetjen e fuqishme për rininë shqiptare.

ZYRA E MEDIAS DHE KOMUNIKIMIT, PARTIA DEMOKRATIKE

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu