
Kryetari i Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha, zhvilloi një takim me banorët e njësisë administrative nr. 5 në Tiranë, ku shpalosi një sërë akuzash ndaj qeverisë aktuale dhe bëri thirrje për mobilizim të qytetarëve dhe diasporës për ndryshim më 11 maj.
Në fjalën e tij, Berisha akuzoi qeverinë për korrupsion sistematik dhe për abuzim me fondet publike. “Klani i tij, rrethi i tij familjar, është një rreth hajdutësh. Baxhanaku i tij ka fituar 80-100 tendera në atë që quhet AKSH. Është një agjenci që merret me digjitalizimin dhe ka zhdukur qindra milionë euro,” deklaroi Berisha, duke shtuar se fondet që duhej të përdoreshin për pensionistët dhe të sëmurët, po vidhen në mënyrë sistematike.
Ai ngriti shqetësimin për situatën në sistemin shëndetësor, duke përmendur mungesën e ilaçeve cilësore dhe mbushjen e farmacive me produkte të skaduara. “Tom Doshit dhe Vilma Nushit, dy vampirëve të vërtetë të shëndetit të shqiptarëve, do u vihet dylli dhe do bëhen përgjegjës,” tha Berisha.
Në një mesazh të drejtpërdrejtë për diasporën shqiptare, ai kërkoi që të mos fotografojnë votën e tyre dhe të refuzojnë çdo presion. “Votoni për ndryshimin për t’u ndarë nga e keqja që po zbraz Shqipërinë. Refuzoni fotografimin e votës, sepse në vendet ku jetoni, kjo është e ndaluar me ligj. Qëndroni njerëz të lirë, shqiptarë dinjitozë dhe votoni për ndryshimin,” apeloi ai.
Berisha theksoi se prioriteti i Partisë Demokratike do të jetë zhvillimi ekonomik, legalizimi i pronave, mbështetja për prodhuesit dhe rritja e pagave dhe pensioneve. Ai u shpreh se çdo votë më 11 maj është një akt përmbysjeje të “një diktature të dytë”.
“Kam marrë këtë mision jo për pushtet, as për para, por për të ndërtuar një të ardhme tjetër për të rinjtë që të mos largohen, por të ndërtojnë ëndrrën e tyre shqiptare këtu, në Shqipëri,” përfundoi Berisha.