Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla, i kërkoi opozitës të mos bëjë politikë me vdekjen pas deklaratave të Berishës dhe Mediut.

“Unë kam këtu në këtë sallë 20 vjet dhe kurrë nuk kemi bërë këtë që ndodhi sot mes njëri-tjetrit, asnjëherë për askënd. Andisin e kam pasur dhe e kisha shok, dhe po ashtu një pjesë e mirë e këtyre këtu dhe të tjerë. Por kurrë nuk na ka ndodhur kjo që u bë tani dhe propozimi i zotit Mediu. Zoti Mediu, faleminderit për këshillat, por gjithmonë këto i kemi bërë mes njëri-tjetrit. Jo në publik, jo në publik. Po dhe na kanë ndodhur dhe ngjarje të tjera të rënda kur kemi qenë gjithmonë bashkë, edhe miq, kolegë, anëtarë të grupit parlamentar të Partisë Demokratike të cilët sapo ishin përzënë, por ne nuk dolëm kurrë të bënim politikë me vdekjen. Unë e di që bufi dhe korbi nuk janë larg njëri-tjetrit, edhe bufi duket si korb herë pas here, por ju lutem shumë sa i përket kësaj çështje. Lëreni familjen të kalojë këtë moment të vështirë. Sa i përket çështjeve të tjera, bashkë me Ministrin e Jashtëm jemi të gatshëm t’ju japim çdo informacion të nevojshëm, për kontaktet, për masat dhe për gjithçka tjetër. Por ju lutem shumë, nuk shkon kjo. Nuk ka ndodhur asnjëherë kjo që po bëni sot.” tha Balla.

Balla ishte ndër të parët politikanë që ngushëlluan për humbjen para kohe të ish-deputetit socialist Andis Harasani ditën e diel.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu