
Kryetari i PD, Sali Berisha, i kërkoi ekipit të partisë së tij për 11 majin që të bëjnë fushatë në rrjete sociale, sepse mediat i kontrollon kryeministri. Berisha iu tha atyre të shkarkojnë VPN dhe të hyjnë në TikTok, si rrjeti social që ka tmerruar kundërshtarin, Edi Rama.
“Në vitin 2016, Donald Trump fitoi nga mediat sociale. Është shumë e njohur kjo. Ai fitoi se nuk i kishte mediat me vete, megjithëse vetë ka qenë në shoubiz, ka pasur program, por prapë mediat i kontrollonte tjetër kush. Përdori shumë mediat sociale.
Ne të kombinojmë këto faktorë, mediat sociale dhe takimin, të dyja në krahasim me krahun tjetër që është një krah mëkatar, i përçarë, që duhet t’i nxjerrin sytë njëri-tjetrit.
Ndaj dhe të bëjmë ç’është e mundur për përdorimin maksimal.
Shkarkoni VPN-të për TikTokun, mos e injoroni.
Pse u them unë mos e injoroni?
Se TikToku e tmerroi atë.
View this post on Instagram
E tmerroi saqë e ka dërguar deri në atë shkallë sa ndërhyn për persona të veçantë dhe ua fshin llogarinë. Por këto janë akte dëshpëruese të tij.
Prandaj mundësisht krahas FB dhe IG, kthehuni tek VPN dhe shpresoj që të funksionojë TikToku në telefonat tuaj.
Ky ka kryer një krim madhor, ka vënë aparatura të kontrollit të plotë të internetit.
Është kthyer biri i të atit.”
Berisha tha porosi edhe për takimet me popullin.
“Takimin, sigurisht, që ju 8 deri në 12 orë në ditë duhet të jeni në takime. Por këto nuk mjaftojnë. Duhet përfaqësuesit tuaj, jo një, por mundësisht tetë, dhjetë, të takojnë njëlloj si ju, në mënyrë të pavarur nga ju.
Të shkojnë derë më derë, të dorëzojnë fletëpalosjet. Po t’u thonë edhe dy fjalë.
Dikush në tavolinë të kafenesë mund të thotë: ‘Të lutem shumë, nuk kam prirje për të të dëgjuar.’ Nuk ka gjë, shkon tek tjetri.
Por krijimi nga ju i ekipeve, me preferencë një i ri ose dy të rinj, ose një i ri dhe një i rritur, është emergjencë, është e domosdoshme.
Sado që të bëni vetë, Tirana është një oqean, nuk dominohet.
E kuptoj atë përkushtimin tuaj, por prapë… lagjet janë, po marr Kombinatin, 72 mijë banorë. Mund të kenë lagje që kanë edhe më shumë.
Ndaj duhet të bëni çdo gjë që të krijoni këto ekipe.
Të komunikoni, të regjistrojnë ama.
Sot këto takova në këtë rrugicë, në këtë numër apartamentesh hyra, që të bëjmë një bilanc pune çdo natë.”