
Kuvendi u përfshi nga tensione e debate lidhur me arrestimin e kryebashkiakut Erion Veliaj.
Nga foltorja Kryetari i PD, Sali Berisha akuzoi Ramën se e ka dërguar Erion Veliajn në paraburgimin e Durrësit për ti mbyllur gojën, me Xhevdet Troplinin, një eksponent i njohur i botës së krimit. Kryetarja e Kuvendit i ndërpreu fjalën pasi ishte jashtë procedure, ndërkohë që Garda rrethoi foltoren. Spiropali vendosi 5 minuta pushim.Pas 5 minutave Berisha rifilloi fjalimin e tij në foltore duke përsëritur kërkesën që Rama të jetë i pranishëm në Kuvend.
““Kërkoj që Edi Rama të rikthehet në Tiranë në mënyrë urgjente dhe që të mos qëndrojë në Durrës ku ka dërguar edhe Erion Veliajn. Ka dërguar atje Xhevdet Troplinin, duke kërcënuar. Rama të ndërpresë presionin ndaj të burgosurit Erion Veliaj. E çoi në Durrës për ta trajtuar Troplini. Do përgjigjet Rama nëse ju ndodh gjë prokurorëve e gjyqtarëve.” tha Berisha.
Elisa Spiropali: Kjo nuk është seancë gjyqi.
Kryetarja e Kuvendit Elisa Spiropali i ndërpreu fjalën edhe kryetarit të grupit parlamentar Gazment Bardhi i cili kërkoi që kryeministri Rama të shkarkojë Erion Veliajn.
Elisa Spiropali: Respektoni prezumimin e pafajësi.
Gazment Bardhi: Mos e vuaj kaq shumë arrestimin e Erion Veliajt. Në vend që ti kërkoni kryeministrit shkarkimin e një hajduti vini na flisni për dinjitetin e Veliajt
Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj u arrestua më 10 shkurt 2025 për akuzën e korrupsionit pasiv në 9 raste dhe pastrim parash. Dje GJKKO konfirmoi masën e sigurisë ‘arrest në burg’ ndërsa ndryshoi masën e sigurisë nga arrest shtëpie në detyrim me paraqitje për bashkëshorten e tij Ajola Xoxa. Në detyrim me paraqitje, janë lënë dhe 5 biznesmenë të cilët akuzohën për korrupsion aktiv.
Në rend të ditës janë ndryshimet e Kodit Zgjedhor që kanë të bëjnë dhe me votën e diasporës dhe shkarkimi i Këshillit drejtues të Radio Televizionit Shqiptar.
Mes debateve dhe tensioneve në Kuvend ditën e sotme, nuk munguan as batutat dhe ironitë në distancë. Një sekuencë prej tyre ishte edhe diskutimi-replikë mes deputetit Dashnor Sula dhe kryeparlamentares Elisa Spiropali.
Teksa debatoi me të, deputeti demokrat u ankua për procedurën dhe kohën e fjalës, kurse më tej u kujtoi socialistëve veshjet e shtrenjta dhe luksin.
“Pikat zonja kryetare i keni bashkuar në një të vetme, kjo është një shkelje. Nëse ju s’doni të ketë debat nga ana e opozitës dhe i bashkoni pikat për të ngushtuar numrin e diskutueseve nuk është normale, por shkelje e rregullores. Ka pasur incident dje dhe kanë hyrë në korridoret e gjykatës dy zonja dhe është kërkuar ndihmë nga punonjësit e gardës dhe policia nuk është paraqitur për ndihmë”, tha Sula për rendin e ditës dhe problematikat ligjore.
Spiropali iu përgjigj:
“Nuk është kjo tema e diskutimit, nuk është në seancë pyetjesh ministri, nuk ka debat për këtë çështje. Deri tek burri i dheut nuk e prisja, përmbahu tek procedura”.
Por Sula shkoi më tej duke i kujtuar edhe veshjet.
“Zonjë e nderuar, se superzonjë vetëm një ka, ju keni Pradat, Gucci dhe firma të tjera!”, tha ai.
Spiropali replikoi në moment duke i thënë:
“Të kam parë, nuk vishesh keq as ti zoti Sula…”.