Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka falënderuar shqiptarët e diasporës në Itali për takimin dhe pritjen madhështore që i rezervuan gjatë takimit të sotëm në Brescia. “Pas hapjes epike të fushatës, takimi i parë me ju, shqiptarë të sakrificës që nuk e harruat kurrë vendin tuaj,” u shpreh Berisha gjatë fjalës hapëse të tij me diasporën në Brescia.

“Këtu, në Itali, në qytetin e bukur të Brescias dhe kudo tjetër, ju e provuat veten shqiptarë të vërtetë. E them këtë sepse kapërcyet çdo vështirësi, tejkaluat çdo pengesë, arritët të ktheheni në qytetarë dinjitozë, njerëz punëtorë, njerëz që e nisët jetën nga zero në këtë vend të bekuar. Në pak vite, u bëtë pjesë jetike në ekonominë e Italisë. Si çdo popull emigrant, u përballët me paragjykime, por ja ku jeni sot: më të mirë, më të fortë, më të mirë se kurrë,” theksoi kryedemokrati Sali Berisha.

Gjatë fjalës së mbajtur, lideri i opozitës, Sali Berisha, solli detaje nga takimi në Këshillin e Europës, ku Edi Rama u soll si bandit pas refuzimit të darkës në nder të tij. “Mësova që kreut të narkoshtetit shqiptar në Këshillin e Europës ia kishin anuluar darkën zyrtare që do të shtrohej për nder të tij, sepse ishte sjellë në mënyrë të padenjë në tempullin e demokracisë. Darka iu anulua sepse ai foli aty si nipi i xhelatit Spiro Koleka, si i biri i Muamer Gadafit, si narkodiktator. Por jo vetëm kaq: ai kishte marrë banditë, të cilët më pas i kërcënuan me qindra mesazhe ata që i anuluan darkën. I marrë, mendoi se do të trembte Europën me banditët e tij. Më 11 maj, shqiptarët e diasporës do të firmosin fundin e narkodiktaturës,” u shpreh Berisha.

Nga Brescia e Italisë, si destinacioni i parë i takimeve me diasporën për të vijuar fushatën elektorale të zgjedhjeve të 11 majit, pas takimeve në Tiranë, kreu i PD-së, Sali Berisha, u shpreh se prezenca e kryestrategut amerikan, Chris LaCivita, nuk është për para, por më shumë për dëshirën për të risjellë në pushtet liderin demokrat dhe PD.

Gjatë fjalës para bashkatdhetarëve në Itali, Berisha tha se Chris LaCivita kishte oferta edhe më të mëdha nga opozita të tjera, por zgjodhi të ishte krah tij dhe demokratëve, teksa nuk e kurseu mirënjohjen ndaj tij për vendimin e marrë për të qenë me demokratët.

“Miq, miku ynë Chris LaCivita nuk erdhi as për para, as për influenca, sepse opozita të tjera më të mëdha se e jona, më të fuqishme, i kishin bërë dhjetëra e dhjetëra oferta. Por arkitekti i rikthimit e ndjeu se Sali Berisha dhe Partia Demokratike duhet të riktheheshin në pushtet. Ndaj dhe ne kemi mirënjohje të pakufishme,” theksoi lideri i demokratëve, Sali Berisha.

Në paraqitjen e programit për diasporën, kryedemokrati Sali Berisha u shpreh se ai do të jetë favorizues për ta, sepse çdo shqiptar që kthehet për të investuar në Shqipëri do të jetë 5 vite pa taksa.

“Ne paraqitëm programin e ‘Shqipërisë Madhështore’! Ky program parashikon rikthimin tuaj, investimet tuaja në Shqipëri, ëndrrat tuaja në Shqipëri. Ndaj dhe e nisim me paketën e dhembshurisë, në mënyrë që ju, remitancat tuaja, me të cilat keni shpëtuar familjet tuaja, keni shpëtuar ekonominë shqiptare, t’i kurseni dhe të vini të investoni 5 vite pa taksa.

5 vite pa taksa për ju. Pjesëtim disa herë i taksës së pronës për ju, shkolla për fëmijët tuaj kudo që jeni.

Kombi do të shkrihet në një,” nënvizoi gjatë fjalës së tij kreu i demokratëve, Sali Berisha.

Por kryetari i Partisë Demokratike foli edhe për hapjen e shkretë të fushatës së Edi Ramës, të cilin e emërtoi në Brescia si Toto Rina i Shqipërisë. Berisha falënderoi të gjithë socialistët dhe qytetarët e Tiranës që e braktisën Ramën në sheshin “Skënderbej.”

“Dje, Toto Riina i Shqipërisë paraqiti programin. Ai hapi fushatën më të shkretë që ka hapur ndonjëherë ajo parti, që nga koha e Partisë së Punës e deri sot. Dua të falënderoj, në emrin tuaj, socialistët e Tiranës dhe qytetarët e Tiranës.

Të falënderoj punonjësit e administratës që e lanë atë në vetminë më të madhe. Jeni treguar patriotë!

Ai u përpoq të mbulojë dështimin me vallen e ministreshave të tij, të stolisura sikur të ishin sulltanesha të Zululandit, me aksesorë e xhingla mingla nga më të kushtueshmet,” theksoi gjatë fjalës së tij në takimin me diasporën shqiptare në Brescia, lideri i opozitës shqiptare, Sali Berisha.

“Ne jemi 1-shat. (Noi siamo uno)”

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu