Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha gjatë fjalës së mbajtur në tubimin qytetar, ka komentuar arrestimin e sotëm të ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj. Berisha theksoi se ‘Beqaj arrestohet pse vodhi 125 mijë euro të taksapaguesve europianë dhe nuk u arrestua kurrë pse vodhi 300 milionë euro nga shqiptarët’.

Lideri i opozitës, ka akuzuar Edi Ramën dhe Ilir Beqajn se janë pronarët e sipërmarrjes që rriti 83 herë çmimin për njësi të sterilizuara. ‘Beqaj dhe Rama janë pronarë të sipërmarrjes që rriti 83 herë çmimin për njësi të sterilizuar’, u shpreh Berisha gjatë fjalës së tij në tubimin qytetar te ‘Rruga e Shpresës’.

yacht hotel sarande

Kryedemokrati, Sali Berisha ka vijuar me akuzat në drejtim të kreut të SPAK, Altin Dumani, që sipas tij nuk e quan vepër penale vjedhjen e 76 milionë eurove nga Ilir Beqaj. ‘Për mercenarin Altin Dumani, 76 milionë euro të vjedhura me sterilizime nuk përbëjnë vepër penale të Ilir Beqës’, theksoi Berisha në protestën maratonë te ‘Rruga e Shpresës’.

Gjatë fjalës së tij, lideri i opozitës Sali Berisha ka bërë publike kërcënimet që i ka bërë ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, kryeministrit Edi Rama në lidhje me hetimet për aferën e strelizimimeve dhe Check-upit në shëndetësi. ‘Beqaj kërcënoi Ramën duke i thënë se ‘Vilma Nushin ma solle ti, nuk e kam njohur kurrë’, tha Berisha në protestën që zhvillohet te ‘Rruga e Shpresës’.

Kryetari i PD-së, Sali Berisha është ndalur te sekuestrimi i 50 milionë eurove, ku dilnin të përfshirë njerëzit e kryeministrit Edi Rama dhe kryebashkiakut Erion Veliaj. ‘Drilona Boçi ishte këshilltarja e Ramës! Kristani del në përgjime te Metamorfoza’, u shpreh Berisha.

FJALA E PLOTE:

Mirëmbrëma dhe përshëndetjet më të përzemërta, mirënjohjen më të pakufishme ju qëndrestareve dhe qendrestarëve të pamposhtur të çështjes së drejtë të çdo shqiptari.

Oratorëve të kësaj platforme të parlamentit të lirisë, që me fjalët e tyre frymëzojnë mendjet dhe zemrat e shqiptarëve për të vërtetën.

Miqtë e mi!

Keni muaj e muaj që protestoni çdo natë.

Por keni muaj e muaj që jeni shndërruar për shqiptarët në simbolin e qëndresës së pamposhtur, në rrezen e shpresës, në frymëzim për të gjithë ata të cilët nuk mund të pajtohen shpirtërisht, në moral dhe ligj me këtë regjim, i cili në mënyrën më të pamëshirshme zbrazi Shqipërinë.

I cili në mënyrën më të pamëshirshme vjedh ditë e natë shqiptarët dhe i zhyt gjithmonë e më shumë në varfëri dhe mjerim.

Ju jeni frymëzim për të gjithë ata që ëndërrojnë votën e lirë, që besojnë votën e lirë si zemrekun e një shoqërie të lirë dhe demokracisë.

Të dashur miq!

Ju jeni frymëzim në një shoqëri në të cilën drejtësia është shndërruar në një vegël të shpifur të kastës së hajdutëve që qeverisin vendin.

Sot në një akt ndër më cinikët që mund të ekzistojë, në një akt dëshmie flagrante të kontrollit të plotë dhe total të Skrapit të partisë nga Edi Rama, në një akt të verbër dhe poshtërimi për shqiptarët, Damani i partisë, Zamani i partisë lëshoi urdhër-arresti për Ilir Beqën sepse ai ka vjedhur dhe shpërdoruar, ka blerë makinë, ka paguar dreka dhe darka te restoranti i vet me fondet e BE, në total 125 mijë euro.

Me këtë rast, ne duhet të falenderojmë BE-në për qëndrimin që mban ndaj hajdutëve të parave të tij.

Por miqtë e mi, Ilir Beqaj arrestohet dhe është në qeli sonte pse ka vjedhur 125 mijë euro të taksapaguesve europianë dhe nuk u arrestua kurrë pse ka vjedhur, ka shpërdoruar me Edi Ramën dhe bandat e tij, me korbën e korrupsionit, 300 milionë euro në 3 koncesionet e shëndetësisë që ka firmosur me dorën e tij të zezë.

Ilir Beqaj është pronari së bashku me Edi Ramën i sipërmarrjes së sterilizimit, me të cilën ata rritën 83 herë çmimin për njësi të sterilizuar.

83 herë rritje e deklaruar nga KLSH.

Rritje që tejkalon çdo lloj imagjinate.

Fituesi i sterilizimit është miku i Edi Ramës, i cili e kishte mahnitur atë për suksesin e tij në Itali me ndërmarrjen e ndërtimit me dy punëtorë të regjistruar.

Ilir Beqaj është personi që i caktoi kësaj kompanie të Rrapajt pikët dy herë më të mëdha se kompanisë tjetër.

Ilir Beqaj është personi që i dhuroi kësaj kompanie, katin e tërë të spitalit, aparaturën ultramoderne të blerë me taksat e qytetarëve shqiptarë për sterilizimin e mjeteve.

Ilir Beqaj është hajduti i Edi Ramës, i cili i dhuroi falas kësaj kompanie të tij dhe të Edi Ramës, ujin, energjinë elektrike, lokalet.

Kurse Edi Rama i çmendur, i marrosur nga vjedhja dhe pasurimi i paligjshëm kalonte nga studio në studio për të mbuluar krimin e tij të shëmtuar me një gërshërë të thyer dhe pincë me një krah dhe tregonte se ja me çfarë operoheshin, duke bërë idiotin, tutkunin se gërshëra e thyer nuk pret, se pinca me një krah nuk ka dhe nuk përdoren kurrë.

Por duhej me çdo kusht të mbulonte vjedhjen e tmerrshme, e cila po tejkalonte të gjitha limitet.

Vetëm në gjysmën e kohës u vodhën 76 milionë euro.

Por këta hajdutë xhelatë morën qindra e qindra jetë njerëzish sepse në Tiranë dhe në mbarë Shqipërinë, spitalet, pavijonet kirurgjikale nuk blinin dot setet kirurgjikale që u nevojiteshin për operacione.

Dhe kush e pësonte?

E pësonin të sëmurët. Çdo vit përjashtoheshin minimumi 1 mijë shqiptarë nga domosdoshmëria e operacionit.

Por pas gjashtë vitesh, hetimesh pas hetimesh, pasi e ktheu me të drejtë një gjykatës guximtar dy herë dosjen, në të cilën fajtor minimalisht ishte Ilir Beqaj, përsëri Zamani, përsëri Skrapi i partisë asnjë akuzë për Ilir Beqën, për këtë korrupsion të tmerrshëm, për rritjen e çmimit 83 herë me sipërmarrjen e tij për sterilizimin.

Të dashur miq, a e dini ju sepse? Sepse paratë janë ndarë me Edi Ramën.

Se Ilir Beqaj në zyrën e tij ka thënë se paratë janë vjedhur, por kanë shkuar tjetër kund.

Pra, për Skrapin e partisë, për mercenarin Altin Dumani, 76 milionë vjedhje me sterilizime, nuk përbëjnë vepër penale të Ilir Beqës.

Por ai duhet të burgoset, e burgos BE për 125 mijë euro që i ka vjedhur për të blerë makinën dhe shtruar dreka dhe darka në restorantin e tij.

A ka cinizëm më të madh se ky?

A tallje më të madhe për shqiptarët?

A nuk është mesazhi për çdo shqiptar se u kemi vjedhur dhe do u vjedhim sa të mundemi se ju kështu e meritoni?

Miqtë e mi!

Aferë kriminale e paimagjinueshme është check-upi.

Komisioni i KLSH ka gjetur se Vilma Nushi, e cila meriton çdo epitet, por unë nuk po e prish gojën, është paguar në 2 vjet, nga Beqaj dhe Korba e Kovidit për 455 mijë analiza të pakryera kurrë.

A ka krim më të shëmtuar se ky? Në një kohë kur qytetarët e varfër mbeten viktimë e pamundësisë për të bërë një analizë.

Shesin ç’kanë dhe nuk jkanë për të paguar analizat që u duhen për diagnozë.

Kurse Beqaj i Ramës dhe Korba e Kovidit i paguanin Vilmës 455 mijë analiza të pabëra kurrë.

Miqtë e mi, një debat të zhvilluar midis Edi Ramës dhe Ilir Beqës, në të cilën Edi Rama gati sa nuk po i thoshte se ti Ilir ke ngrënë dardha, nuk ia dha dot, se Iliri e kuptoi dhe i tha: Atë Vilmën ma ke sjellë ti, unë nuk e kam njohur kurrë.

Kjo është e vërteta.

Po kaq janë vjedhjet e tmerrshme me analiza.

Asnjë i burgosur, asnjë i dënuar.

Po kaq janë vjedhjet dhe dënimi me vdekje të të sëmurëve me sëmundje të rënda duke mos u dhënë ilaçet.

Duke mos marrë mjekimet që meritonin.

Nuk ka drejtësi! Për Dumanin, këtë kriminel në krye të organizatës kriminale nuk është krim të lësh tre vjet 600 gra e vajza pa radioterapi, metodë kryesore e mjekimit të tyre

Nuk është krim të lësh 200 të sëmurë pa voltoterapi.

Nuk është terapi të lësh qindra e qindra fëmijë pa mjekimin e tyre.

Nuk është krim vepra makabre e ish-kunatës së Edi Ramës, që rifut në qarkullim ilaçet e skaduara duke urdhëruar mashtrimin.

Nuk është krim për Dumanin, këtë monstër të drejtësisë. Nuk janë krime këto.

Por duhet të mbrojë Edi Ramën dhe vjedhjet e tij.

Miqtë e mi!

Qytetarët nesër kanë rastin t’i japin përgjigje Erion Veliajt.

A nuk e shpalli drejtësia e kontrolluar një javë më parë 19 urdhër-arresti?

I futi andej nga i nxori.

Ku janë?

Ku janë?

A ka dëshmi më flagrante të kontrollit dhe të pafytyrësisë së tyre se sa kjo?

Mbrëmë, unë falënderova prokuroren që firmosi konfiskimin e 50 milionë eurove të mikut të Edi Ramës, Kristian Boçi.

A e dini ju miq se Drilona e Kristanit ka qenë 4 vite këshilltare e Edi Ramës?

A e dini ju miq se Kristani me bandën e tij është personazh krimi i Metamorfozës?

Por Altin Dumani meqenëse në regjistrime SKY dhe Encrochat, dilnin kilometra mesazhe dhe biseda, komunikime të Edi Ramës me Boçin, me të shoqen këshilltare, çfarë bëri? E çoi dosjen te prokuroria e Tiranës, duke hequr të gjitha këto, në mënyrë që të kalonte pa iu futur ferra në këmbë Edi Ramës, njeriut që kishte bashkëpunuar me Boçin për vite të tëra.

Drilona ishte mikeshë e ngushtë e Velicës.

Ajo së bashku me Velicën merreshin me vepra të mëdha arti nëpër botë.

E kuptoni të dashur qytetarë ku jetojmë?

Vetëm zemërimi juaj, vetëm revolta juaj me 11 korrik është shpëtimi i Shqipërisë.

Ndaj le të bashkohemi ne, çdo qytetar i këtij vendi, çdo shqiptar kudo që të ndodhet më 11 korrik në ditën e të vërtetës, në ditën e fitores, në ditën e triumfit.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu