
Në deklaratën e përditshme për mediat nga selia e Partisë Demokratike, lideri i opozitës Sali Berisha ka akuzuar kryeministrin Edi Rama për hakmarrje politike ndaj banorëve të Thethit, pas humbjes së PS-së në këtë zonë në zgjedhjet e 11 majit.
Duke iu referuar rezultateve të një qendre votimi në Theth, Berisha tha se Partia Demokratike ka marrë 95 vota, ndërsa Partia Socialiste vetëm 82, çka sipas tij ka shkaktuar zemërimin e Ramës.
“Ky është rezultati i qendrës së votimit ku ju patë atë krim të shëmtuar. PD mori 95 vota, PS 82. Pra, nuk kanë votuar PS-në, kanë votuar PD-në. Dhe kjo është hakmarrja primitive, kriminale e Edi Ramës ndaj tyre”, deklaroi Berisha.
Ai kujtoi se pak para zgjedhjeve, qeveria promovonte zhvillimin turistik të Thethit, duke u mburrur me arritjen e 2 mijë shtretërve në fshat – një investim i madh në një zonë të largët malore, ku kostot janë shumë më të larta sesa në bregdet apo në qytet.
“Por ja ku janë sot 2 mijë shtretërit e Thethit. Edi Rama, për shkak të disfatës elektorale, u hakmor në mënyrën më primitive, më çnjerëzore ndaj tyre”, u shpreh ai.
Berisha e quajti Ramën një “armik të egër të veriut”, duke thënë se ai ushqen çdo ditë urrejtje dhe negativitet ndaj shqiptarëve, dhe sidomos ndaj zonave veriore.
Në përfundim, ai i bëri thirrje qytetarëve në Shkodër, Theth dhe në gjithë Shqipërinë që të ngrihen kundër kësaj “të keqe që po rrënon çdo ditë jetën e tyre”.