
Ish-kryeministri Sali Berisha ka lëshuar akuza të forta ndaj qeverisë lidhur me mënyrën si po trajtohen në burg Ilir Meta dhe Erion Veliaj. Gjatë një deklarate publike, Berisha i bëri thirrje Avokatit të Popullit që të ndërhyjë urgjentisht për të hetuar rastet që ai i cilëson si sjellje “çnjerëzore dhe politike”.
Berisha tha se ka marrë informacione të besueshme për kushte dhe veprime të papranueshme ndaj Metës, të cilin e konsideroi “të burgosur politik”. Ai akuzoi direkt kryeministrin Edi Rama dhe ministrin e Drejtësisë, Ulsi Manja, për urdhërimin e këtyre veprimeve që sipas tij janë kryer nga “banditë me uniformë”.
“Avokati i Popullit duhet të takohet menjëherë me të burgosurin politik Ilir Meta dhe të bëjë publike të gjitha qëndrimet çnjerëzore të urdhëruara nga Rama dhe Manja,” – deklaroi Berisha.
Ish-kryeministri nuk la jashtë vëmendjes edhe Erion Veliajn, të cilin e quajti “të burgosur ordiner”, duke shtuar se edhe ai është trajtuar në mënyrë çnjerëzore në shkelje të të drejtave që çdo i burgosur gëzon sipas standardeve ndërkombëtare.
“Partia Demokratike ka protestuar dhjetëra herë kundër arrestimit të këtij delinkuenti, por edhe për të, si për çdo të burgosur, trajtimi duhet të jetë në përputhje me ligjin dhe me normat e Këshillit të Europës,” – tha Berisha.
Ai i kërkoi zyrës së Avokatit të Popullit që të nisë një hetim të plotë për të dyja rastet, duke theksuar se shteti nuk mund të lejojë shkeljen e të drejtave të njeriut, pavarësisht akuzave që rëndojnë mbi të dënuarit.
Deri më tani, as Avokati i Popullit dhe as autoritetet përgjegjëse nuk kanë reaguar publikisht për këto pretendime.