
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar ashpër pas deklaratave të kryeministrit Edi Rama lidhur me çështjen gjyqësore të pezullimit të zv/kryeministres Belinda Balluku, duke e cilësuar fjalën e tij si “kërcënim të hapur me vdekje ndaj gjyqtarit dhe prokurorit”.
Në një njoftim të publikuar në Facebook, Berisha akuzon Ramën për sjellje “mafioze” dhe përpjekje për të ndikuar drejtësinë, vetëm pak orë para shqyrtimit në apel të vendimit të GJKKO.
Akuzat e Berishës
Sipas Berishës, citimi nga Rama i një paragrafi të ish-prokurorit amerikan Robert Jackson – ku flitet për rrezikun që i kanoset drejtësisë kur “një pushtet hyn në territorin e tjetrit” – përbën mesazh të koduar kërcënues për trupën gjykuese që po trajton rastin e Ballukut.
Berisha e lidhi deklaratën e kryeministrit me atë që ai e cilëson si “90 milionë euro të vjedhura” në aferat e Tunelit të Llogarasë dhe projekte të tjera. Ai pretendon se pezullimi i Ballukut u bë në përputhje me ligjin dhe Kushtetutën, ndërsa shton se “nëse do zbatohej ligji në rigorozitet, ajo do të ishte nën arrest si Erion Veliaj”.
“Kërcënim i drejtpërdrejtë me vdekje”
Në reagimin e tij të plotë, Berisha thotë se deklarata e Ramës është “kërcënim i drejtpërdrejtë me vdekje” ndaj gjyqtarit dhe prokurorit që firmosën pezullimin e Ballukut.
Ai shton se Rama është “i gatshëm të kryejë çdo krim për pushtetin e tij”, ndërsa autoritetet, sipas tij, duhet të ishin tashmë duke hetuar kryeministrin.
Konteksti politik
Reagimi i Berishës vjen në një moment tensioni të lartë politik pas vendimit të GJKKO për pezullimin e Ballukut dhe dërgimit të çështjes në Gjykatën Kushtetuese.
Nga ana tjetër, qeveria i ka cilësuar akuzat e opozitës si sulme politike, ndërsa kryeministri Rama ka paralajmëruar se vendimi i pezullimit do të ankimohet.
Berisha e mbylli reagimin me një proverb të njohur:
“Keni parë, s’keni parë, shkon një i vdekur me një të gjallë, të dy hipur në një kalë.”
—




