
Ish-kryeministri Sali Berisha ka lëshuar akuza të forta ndaj kryeministrit Edi Rama, duke e cilësuar udhëtimin e tij të dyshuar në finalen e Champions League si një shfaqje luksi dhe arrogance ndaj qytetarëve shqiptarë.
Në një deklaratë të bërë gjatë një konference për shtyp, Berisha u shpreh:
“Është një periudhë ku interesi im për futbollin ka rënë në minimum. Unë e dua futbollin, por sipas mënyrës time. Nuk them se e pashë finalen. Tani, ju donit të më thoni mua se Edi Rama thuhet se me çarter dhe me bileta që shkojnë tek 30-40 mijë euro, ndoqi ndeshjen dhe doli me Nusretin e 1 mijë dollarëve biftekun.”
Më tej, ai akuzoi kryeministrin se po e shijon luksin si “sheik”, ndërkohë që pas vetes lë, sipas tij, “krime monstruoze elektorale”.
“Sigurisht, si sheik, shijon krimet e tij, krimet monstruoze elektorale që ka bërë,” shtoi Berisha, pa dhënë më shumë detaje mbi burimet e këtyre pretendimeve.
Kjo deklaratë vjen në një kohë kur Berisha ndodhet nën masën e arrestit shtëpiak për çështje të drejtësisë, ndërsa tensionet politike mes qeverisë dhe opozitës vijojnë të jenë të larta.