Ish-kryeministri Sali Berisha komentoi akuzat e presidentit të SHBA, Donald Trump, ndaj Xhorxh Sorosit dhe djalit të tij, Aleksis Soros, duke i cilësuar si një organizatë kriminale që ka ushtruar veprimtari kundër rendit dhe sigurisë në SHBA. Berisha e quajti këtë një akt historik dhe rikujtoi se e ka konsideruar Sorosin një armik të demokracisë në Shqipëri.

Sipas Berishës, Soros dhe djali i tij, përmes investimeve dhe lobimeve financiare, kanë ndihmuar në konsolidimin e pushtetit të Edi Ramës dhe krijimin e asaj që ai e cilëson si “narkoshtet monist” në vend. Ish-kryeministri shtoi se fondacioni i Sorosit ka pasur ndikim në administratën e Xho Bajden dhe në reforma në Shqipëri, të cilat sipas tij kanë shërbyer për të transformuar rendin demokratik dhe për të mbështetur krimin e organizuar.

Berisha po ashtu ngriti dyshime për udhëtimet e Edi Ramës dhe vizitat e Aleksandër Sorosit në Shqipëri, duke i lidhur me transportin e mundshëm të parave dhe drogës.

Ai rikujtoi se që nga viti 2012 ka kërkuar publikisht që Senati dhe Kongresi i SHBA, si dhe Parlamenti Europian, të ndërmarrin masa kundër veprimtarisë së Sorosit jashtë SHBA.

Ish-kryeministri bëri thirrje që FBI-ja dhe Kongresi i SHBA të shtrijnë hetimet edhe në Shqipëri për veprimtarinë e Sorosit gjatë 20 viteve të fundit. Sipas tij, veprimet e Sorosit dhe investimet e tij kanë synuar të kontrollojnë politikën, reformën kushtetuese dhe sistemin e drejtësisë në Shqipëri, duke krijuar “praktikisht një monizëm të plotë”.

Berisha theksoi gjithashtu se aktiviteti i Sorosit ka qenë në kundërshtim me interesat e shqiptarëve dhe me politikën e SHBA, përfshirë mandatin e parë të presidentit Donald Trump, duke kërkuar përdorimin e aktit ligjor RICO për hetimin e këtyre veprimeve.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu