
Ish-kryeministri Sali Berisha ka reaguar pas informacionit se Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar vendimin e qeverisë, duke lënë në detyrë kryebashkiakun Erion Veliaj. Edhe pse vendimi ende nuk është bërë publik zyrtarisht, Berisha e konsideron atë si një akt ku gjyqtarët “kanë zbatuar ligjin”, por njëkohësisht si një “dhuratë” që sipas tij, Edi Rama ia ka bërë pa dashje rivalit të tij politik.
“E shoh si një dhuratë që Edi Rama, që nuk njeh ligj e moral, ia bëri padashje kundërshtarit të tij,” tha Berisha, duke shtuar se trajtimi që Veliaj ka pasur “në burg”, sipas tij në kundërshtim me Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut dhe Kushtetutën, i ka sjellë kryebashkiakut avantazh de facto sot.
“Nuk ka moral, sepse Haram Begaj dhe Edi Rama janë të palosur, të dy janë të rrëzuar me këtë vendim”, u shpreh më tej Berisha.
Pjese nga prononcimi:
Pyetje: Në mbledhjen e grupit ditën e premte, pjesa më e madhe e grupit parlamentar nuk ka artikuluar përshkallëzim të aksionit brenda parlamentit. A ka pasur kryesia një qëndrim për ta përshkallëzuar aksionin në parlament?
Sali Berisha: Po, grupi ka pasur vendim për të përshkallëzuar qëndrimet e veta në parlament. Pa diskutim. Grupi vendosi që të vazhdojmë betejën fuqishëm në parlament. Ne kemi eksperiencë të jashtëzakonshme për parlamentin. A do rikthehen ato që ishin apo të tjera, por beteja në parlament nuk diskutohet, do bëjmë betejë në çdo terren që jemi.
Pyetje: A është diskutuar për protestë?
Berisha: Po, është diskutuar gjerësisht për protestën. Janë dhënë mendime pozitive, por vendimet do merren në ditët që vijnë.
Ishte fushatë elektorale, por në Tiranë nuk ka më fushatë.
ZYRA E MEDIAS DHE KOMUNIKIMIT, PARTIA DEMOKRATIKE







