
Kryetari i Partisë Demokratike, Prof. Dr.Sali Berisha ka marrë pjesë këtë të premte në një iftar të shtruar për besimtarët myslimanë të Degës 6 Kombinat, nga kandidati i Opozitës për Qarkun Tiranë, Akil Kraja.
Gjatë fjalës së tij, Kryetari i PD theksoi rëndësinë e agjërimit si një akt fisnik që prek sakrificën. Berisha shprehu mirënjohje për imamët dhe punën e tyre frymëzuese për besimtarët, duke theksuar rolin e xhamisë në bamirësinë ndaj shqiptarëve në nevojë.
Lideri Opozitar, Sali Berisha, tha se bamirësia është një traditë e shquar e shqiptarëve dhe uroi që të gjithë shqiptarët të frymëzohen nga kjo ndjenjë.
“Mirëmbrëma dhe nderimin tim më të madh për të gjithë ju, të rinj, të reja, burra dhe gra që agjëroni muajin e Madhërueshëm të Ramazanit dhe lutjen time që Zoti t’ua pranojë këtë sakrificë. Zoti t’ua kthejë në mirësi secilit prej jush, familjeve tuaja dhe shqiptarëve në tërësi.
Një mirënjohje të veçantë për imamët, zëvendësmyftiun e Tiranës, miqtë e mi të kahershëm, dy imamët e pranishëm këtu, për punën e tyre frymëzuese, për shembullin e tyre frymëzues për besimtarët nga përsosja e shpirtit në sakrificën e tyre.
Dua të them se agjërimi është një akt madhor fisnik i njeriut. Është akt në të cilin çdonjëri prek sakrificën mbi të cilën ndërtohet e gjithë mirësia e jerëzimit dhe e njeriut. Në shqiptarët kemi një traditë e cila po rikthehet me shpejtësi, dhe kjo traditë e lidhur me shpirtmadhësinë, qendron me bamirësinë tonë.
Këtu po tregoni për rolin jashtëzakonisht të rëndësishëm të xhamisë dhe imamëve në bamirësinë ndaj shqiptarëve në nevojë. Uroj dhe shpresoj që të gjithë shqiptarët të frymëzohen nga kjo ndjenjë.”
Berisha deklaroi më tej se studiuesi që kanë njohur Shqipërinë, kanë folur me admirim të madh për miqësinë e tyre.
“Studiues që kanë njohur kombin tonë, kanë folur me admirim të madh për miqësinë e shqiptarëve. Por më me admirim të madh kanë folur për bamirësinë shqiptare, një bamirësi, thonë atë, ndër më fisniket që ekziston. Ndaj dhe, falënderoj dhe kandidatët që kanë shtruar këtë iftar. Ju uroj nga zemra fat dhe mbarësi për Bajramin dhe t’i lutemi Zotit që Ramazanin tjetër, agjërimin tjetër dhe Bajramin t’i presim dhe t’i festojmë siç na do zemra.”
Kryetari i Partisë Demokratike e mbylli fjalën e tij duke shprehur mirënjohjen më të thellë për kandidatët që shtruan iftarin dhe me lutjet se vitin tjetër Ramazani dhe Bajrami do të pritet dhe festohet ashtu siç shqiptarëve ua do zemra.