Në 300 ditëshin e ngujimit të detyruar nga masa e arrestit shtëpiak kreu i PD, Sali Berisha mbajti një fjalim nga dritarja. Kujtojmë se ai është arrestuar nën akuzë për korrupsion lidhur me një vendim të marrë gjatë kohës që ishte kryeministër për privatizimin e kompleksit Partizani nga dhëndri i tij Jamarbër Malltezi.
Ja fjalimi i Beishës sonte:
Të dashur miq!
Sot u bënë 300 ditë që Edi Rama urdhëroi parlamentin dhe mercenarët e tij të Skapit, të vendosin arrestin tim në shtëpi, pa asnjë fakt, pa asnjë dokument, pa asnjë shkelje ligji, po vetëm e vetëm si kundërshtar politik që i tmerron ata dhe mafien ndërkombëtare.
Ata bënë gjithçka me Edi Ramën për ta arkivuar Sali Berishën në banesën e harresës, madje shkuan gjer aty sa tu tregojnë atyre që përmbysën diktaturën më staliniste të Europës, barin që u tregonte Enver Hoxha, por me të gjitha këto dështuan në turpin e tyre të thellë.
Vendosja e Sali Berishës në arrest shtëpie, pasi dështuan t’i caktojnë kryetarit opozitës, dhe ta shndërrojnë opozitën në një stoli të narkodiktatorit Edi Rama, kishte si qëllim të vetëm ndyrjen e tij në banesën e harresës.
Por dështimi i Edi Ramës dhe mafies së Xhorxh Sorosit, këto 300 ditë është më i turpshmi në tërë historinë e lirisë së një vendi.
Ata dështuan miqtë e mi, sepse këto kanë qenë ditët e betejës më intensive, më të motivuar të të gjithë jetës time politike.
Në këto 300 ditë së bashku me ju, falë mbështetjes tuaj, kam patur fatin e madh të luftoj më i motivuar se kurrë për vlerat dhe idealet fisnike që ndajmë me njëri-tjetrin, që ndajmë me shqiptarët, por edhe me njerëzit e lirë, në Shqipëri dhe mbarë botën.
Këto 300 ditë ishin ditët që ne morëm bekimin e Zotit si misionarë të vërtetë të një kauze të drejtë, kauzës së dinjitetit dhe lirisë së qytetarëve shqiptarë, dhe ne dëshmuam se nuk ka forcë në botë që mund të na mposhtë ne të rinjve dhe të rejave, burrave dhe grave që mbrojmë një kauzë të drejtë.
Të dashur miq, këto 300 ditë ne së bashku nderuam luftën, betejën, misionin tonë.
Zoti ju bekoftë!