
Protesta e opozitës këtë të shtunë u zhvendos nga Kryeministria drejt Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, mes tensioneve dhe incidenteve.
Gjatë marshimit, pranë Piramidës, disa protestues hodhën bomba molotov, ndërsa forcat e rendit u vendosën në gatishmëri pranë godinës së Policisë së Shtetit.
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi se drejtimi i protestës nga godina e Policisë lidhet me praninë aty të drejtorit të Policisë, Ilir Proda, të cilin e cilësoi si “kryebandit të narkoshtetit”.
“Aty është një nga kryebanditët e narkoshtetit, Ilir Proda. Aq sa ka të ardhme Rama, ke edhe ti që je shërbëtor e mercenar i tij. Në zyrën e tij është edhe Ergys Agasi. Ne shkojmë aty për t’i shënjuar. Kjo nuk është ndaj policëve të thjeshtë”, u shpreh Berisha.
Protesta e sotme ndryshon nga tubimet e mëparshme, pasi nuk pati fjalime nga drejtuesit e opozitës, por u zhvillua në formë marshimi.
Protestuesit e PD janë larguar nga rruga që të çon drejt Policisë së Shtetit, aty ku patën dhe përplasje me efektivët e policisë, pasi tentuan që të çajnë kordonin.
Ata tashme ata janë drejtuar drejt Parlamentit, ndërsa gjatë rrugës kanë hedhur sërish molotovë.
Protestuesit nuk kanë ndaluar te Parlamenti, por kanë vijuar marshimin.






