Nëse këtë verë keni menduar për një udhëtim në Itali, ndoshta është koha të rishikoni planet tuaja – dhe të shihni përtej Adriatikut. E përditshmja prestigjioze amerikane “MarketWatch” i kushton një artikull të veçantë qytetit të Beratit në Shqipëri, duke e përshkruar si një alternativë të shkëlqyer për Toskanën italiane, por me çmime më të ulëta dhe një përvojë më autentike.

Artikulli, i shkruar nga gazetarja Genna Contino vendos në qendër të vëmendjes Beratin si një shembull tipik të trendit të ri turistik të quajtur “destinacion zëvendësues” vende më pak të njohura që ofrojnë të njëjtin atraksion kulturor dhe natyror si destinacionet e famshme, por me më pak turistë dhe me kosto më të ulët.

Çifti i blogerëve amerikanë Alicia Walter dhe Nate Stark, të njohur për blogun e tyre të udhëtimeve, zgjodhën Beratin kur nuk mund të përballonin një udhëtim në Itali në vitin 2023. Eksperienca i mahniti. Ata darkuan në një restorant tradicional shqiptar me dy miq dhe paguan vetëm 55 dollarë për të katërt. Më pas, qëndruan në një hotel brenda mureve të kalasë 2,500-vjeçare të Beratit për vetëm 60 dollarë nata, me mëngjes të përfshirë.

“Toskana do të mbetet gjithmonë ikonë, por Berati na ofroi të njëjtën ndjesi të botës së vjetër, mikpritje dhe ushqim të shkëlqyer, me një çmim shumë më të ulët,” tha Walter, e cila u rikthye në Berat në prill të këtij viti.

MarketWatch nënvizon se 92% e turistëve amerikanë janë të hapur ndaj destinacioneve më pak të njohura, nëse kjo u ndihmon të kursejnë para dhe të shmangin stresin. Një numër gjithnjë në rritje i tyre po kërkon përvoja të reja larg zhurmës së qyteteve të mbingarkuara turistike si Barcelona apo Venecia.

Përveç Beratit, në listën e këtyre destinacioneve zëvendësuese përfshihen edhe ishulli Paros në Greqi (në vend të Santorinit), San Miguel de Allende në Meksikë (në vend të Firences), si dhe qyteti kanadez i Québec-ut (në vend të Parisit).

Ndërkohë, për shumë amerikanë që planifikojnë të udhëtojnë me makinë për të kursyer, një udhëtim në Shqipëri përbën një zbulim të ri për pushimet verore në Evropë  me vlera të larta kulturore, natyrë të paprekur dhe çmime që nuk e rëndojnë portofolin.

Në një kohë kur udhëtimet tradicionale po bëhen gjithnjë e më të kushtueshme dhe të mbingarkuara, Shqipëria dhe në veçanti Berati  po shfaqet si një alternativë jo vetëm më e lirë, por edhe më origjinale për një përvojë verore me kujtime që zgjasin.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu