
Drejtuesja politike e PS në qarkun e Fierit, Belinda Balluku ka refuzuar të bëjë një komente apo t’i kthejë përgjigje akuzave të mëhershme të drejtuesit politik të PD në këtë qark, Gazment Bardhit.
Në prononcimin për mediat nga KZAZ 60 në Fier, ku sapo u mbyll numërimi i kutisë së fundit, Balluku tha se Bardhit nga PS në këtë qark i përgjigjet vetëm kandidatja e listës së hapur, Zegjine Çaushi, e cila me votat preferenciale të numëruara deri tani do të jetë deputete e ardhshme e Kuvendit të Shqipërisë.
“Përgjigje për zotërinë ka vetëm një person, mesazhe për të në këtë qark. Ajo quhet Zegjine Çaushi dhe është një vajze që kandidon në listën tonë. Një vajzë nga Vloshi i Roskovecit.
Një luftëtare do të thosha unë, pavarësisht se si është anatemuar jo vetëm nga politikanët por edhe nga mediat sociale. Por unë mendoj që nuk mund t’ia marr kënaqësinë Zegjinesë. E meriton ajo komunikimin dhe do t’ia lë asaj”, deklaroi Balluku./Tema