Pas vendimit të Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve që vendosi në 5 Korrik të këtij vitit të shpallë të pavlefshëm dhe përfundimin e parakohshëm të mandatit të Kryetarit të Bashkisë Himarë, Alfred Beleri, ky i fundit ka dorëzuar ankim brenda afatit 30 ditorë në Komisionin e Ankesave dhe Sanksioneve.
Fredi Beleri e cilëson të paligjshëm vendimin e KQZ dhe për këtë arsye ka dorëzuar ankim. Beleri kërkon përfundimsht anullimin e vendimit nr. 69 datë 05.07.2024 të Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve, si një akt i paligjshëm.
Po ashtu në ankim kërkohet vlefshmërinë e mandatit të ankuesit, të verifikuar dhe legjitimuar me vendimin nr. 611 datë 25.05.2023 të KQZ, si dhe konstatimin e mungesës së rasteve ligjore të “përfundimit të parakohshmë të mandatit të Kryetarit të Bashkisë Himarë.”
Fredi Beleri nuk arriti që ta merrte zyrtarisht mandatin për shkak se u arrestua dy ditë përpara zgjedhjeve vendore të 14 Majit 2023. Më pas Beleri u dënua me dy vite burg me vendim të formës së prerë nga Gjykata e Posaçme e Apelit, për korrupsion në zgjedhje./Klan News