Behgjet Pacolli ka dhënë dorëheqje nga pozita e kryetarit të Aleancës Kosova e Re (AKR), partisë që vetë e themeloi në vitin 2006, duke i dhënë fund 19 viteve drejtimi.

Detaje rreth largimit të tij ka dhënë për Tevë1 ushtruesi i detyrës së kryetarit të AKR-së, Vesel Makolli.

“Dorëheqja është bërë para dy muajsh, ndërsa publikimi në faqen zyrtare u bë një muaj më parë. Arsyeja kryesore është se ai fizikisht nuk ka pasur mundësi të merrej me partinë për shkak të obligimeve të shumta që ka. Në kuvendin e fundit të mbajtur në vitin 2022, Pacolli kishte kërkuar të tërhiqej, por ne i kemi bërë presion, në aspektin pozitiv. Gjatë dy viteve të fundit, ai ka mundur të marrë pjesë vetëm dy herë në mbledhje, pasi nuk ka qenë fizikisht në Kosovë”, ka thënë Makolli.

Ai ka shtuar se ish-kryetari ka pasur edhe probleme shëndetësore:
“Obligimet e shumta, detyrat familjare dhe gjendja e tij shëndetësore kanë bërë që ai të japë dorëheqjen”, ka deklaruar Makolli.

Ushtruesi i detyrës ka njoftuar gjithashtu se së shpejti do të mbahen zgjedhjet e brendshme brenda partisë, sipas legjislacionit dhe statutit të AKR-së.
“Duhet të bëjmë zgjedhjet brenda partisë brenda pesë ose gjashtë muajsh, dhe kjo është e përfshirë në programin tonë”, ka shtuar Makolli.

Tevë1 ka tentuar të kontaktojë edhe ish-kryetarin Pacolli për një qëndrim të tij, por gjatë ditës ai nuk ka qenë i qasshëm.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu