
Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, uroi sot Krishtlindjen besimtarëve katolikë, ortodoksë dhe ungjillorë, duke përcjellë mesazhe uniteti, paqeje dhe kujdesi për më të dobëtit në shoqëri.
Mesazhin e parë të Krishtlindjes, Kreu i Shtetit e përcolli nga kisha katolike e Shna Ndout në Laç, një vend i shenjtë pelegrinazhi për mijëra besimtarë nga të gjitha besimet. Presidenti Begaj theksoi se kjo festë ndez shpresën dhe besimin se e ardhmja mund të jetë më e mirë.
“Kjo ditë e shenjtë ndez te ne shpresën dhe besimin se e ardhmja bëhet më e mirë me paqe, solidaritet dhe dashuri,” u shpreh Presidenti i Republikës nga Kisha e Shna Ndout në Laç.
Më pas, Kreu i Shtetit zhvilloi vizita të veçanta në Qendrën Sinodike të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë dhe në selinë e Vëllazërisë Ungjillore të Shqipërisë në Tiranë.

Pas takimit me Fortlumturinë e Tij Joani, Kryepeshkop i Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, Presidenti Begaj përcolli mesazhe për respekt reciprok, mirëkuptim dhe solidaritet shoqëror.

“Krishtlindja është një ditë e shenjtë që shënon vlerat më të larta të besimit, dashurisë dhe solidaritetit, vlera që përfaqësojnë identitetin tonë dhe për të cilat ne njihemi botërisht: bashkëjetesën dhe harmoninë ndërfetare,” u shpreh Presidenti i Republikës, duke uruar që kjo festë të sjellë gëzim, begati dhe bekime për çdo besimtar dhe çdo shqiptar, si edhe një Vit të Ri sa më të mbarë për të gjithë.
Presidenti Begaj uroi gjithashtu besimtarët ungjillorë, duke theksuar se Krishtlindja sjell më shumë se çdo periudhë tjetër të vitit magjinë dhe dashurinë e Krishtit, me dëshirën që paqja dhe gëzimi të hyjnë në çdo familje shqiptare.







