Orët e para të vitit 2026 janë shënuar me gëzim në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut, ku foshnjat e para të vitit të ri kanë ardhur në jetë në maternitetet dhe qendrat kryesore shëndetësore, duke simbolizuar vazhdimësinë e jetës dhe shpresën për një vit më të mirë.

Në Qendrë Klinike Universitare e Kosovës, fëmijët e parë të lindur në vitin 2026 janë trenjakë – tre djem. Lajmin e bëri të ditur kryeministri në detyrë, Albin Kurti.

“Fjolla u bë nënë për herë të parë, ndërsa trenjakët e saj janë fëmijët e parë që lindën në QKUK në vitin 2026. Nëna Fjolla dhe tre djemtë janë shëndoshë e mirë. Urime prindërve dhe familjes. Të porsalindurve u dëshirojmë shëndet dhe jetë të gjatë. Falënderim për stafin shëndetësor për shërbimin, kujdesin dhe përkushtimin në çdo minutë e orë të ditës”, ka shkruar Kurti.

Edhe në Shqipëri, viti 2026 ka nisur me lindjet e para, ku foshnjat e para të Vitit të Ri kanë ardhur në jetë në orët e para të mëngjesit, duke sjellë emocione dhe gëzim për familjet dhe personelin shëndetësor. Autoritetet shëndetësore kanë përcjellë urime për prindërit dhe të porsalindurit.

Maqedonia e Veriut

Në Shkup, pikërisht në mesnatë, në Klinikën Universitare të Gjinekologjisë dhe Obstetrikës, ka lindur foshnja e parë e vitit 2026, një vajzë, e cilësuar simbolikisht nga klinika si “princesha e Vitit të Ri”.

Një fillim viti me shpresë

Lindjet e para të Vitit të Ri konsiderohen tradicionalisht si një shenjë shprese, vazhdimësie dhe optimizmi, duke e nisur vitin 2026 me mesazhe jete për mbarë rajonin.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu