Vendimmarrja e ngadaltë ose bllokimi i plotë i Bashkimit Evropian për çështje kyçe si Ukraina dhe Gaza lidhet drejtpërdrejt me mekanizmin e vetos, i cili i lejon çdo shtet anëtar të ndalë vendimet e përbashkëta duke thënë thjesht “kundër”. Kështu argumentojnë Milena Gabanelli dhe Mara Gergolet në një analizë të publikuar nga Corriere della Sera, ku vetoja përshkruhet si një instrument që nga garanci demokratike është shndërruar në mjet presioni dhe shantazhi politik.

Hungaria, kampionia e vetos

Sipas të dhënave të EU Veto Tracker, nga viti 2011 deri më sot janë regjistruar 46 veto në BE, ku Hungaria kryeson me 19 raste. Vetëm gjatë periudhës 2022–2025, kryeministri Viktor Orbán ka bllokuar 12 herë vendime kyçe, kryesisht të lidhura me ndihmën për Ukrainën dhe sanksionet ndaj Rusisë. Në disa raste, vetoja është hequr vetëm pasi Budapesti ka siguruar përjashtime ose zhbllokim fondesh evropiane.

Aleanca me Sllovakinë

Që nga fundi i vitit 2023, Hungaria ka gjetur një aleat të ri në Sllovaki, pas ardhjes në pushtet të kryeministrit filorus Robert Fico. Dy vendet kanë vepruar së bashku në disa veto, duke ndjekur atë që think tank-u gjerman SWP e quan “strategji e vetos”: përdorimi sistematik i bllokimit për përfitime politike dhe financiare, shpesh në favor indirekt të interesave ruse.

Përfituesit më të mëdhenj të fondeve të BE-së

Paradoksi, sipas analizës, është se vendet që përdorin më shpesh veton janë edhe përfituesit më të mëdhenj të fondeve evropiane. Hungaria ka marrë rreth 68 miliardë euro neto nga BE-ja që nga viti 2004, ndërsa Sllovakia dhe Çekia kanë përfituar miliarda që kanë ndikuar ndjeshëm në rritjen e tyre ekonomike. Megjithatë, në Hungari një pjesë e konsiderueshme e këtyre fondeve dyshohet se menaxhohet në mënyrë “oligarkike”, përmes rrethit të ngushtë të kryeministrit Orbán.

Italia dhe dilema e vetos

Edhe Italia ka përdorur ose kërcënuar me veto në të kaluarën, por tradicionalisht ka qenë mes vendeve që kërkojnë heqjen e unanimitetit. Megjithatë, qëndrimi ka ndryshuar së fundmi: kryeministrja Giorgia Meloni është shprehur kundër zgjerimit të votimit me shumicë, duke argumentuar mbrojtjen e interesave kombëtare. Ky ndryshim e afron Italinë me pozicionet sovraniste dhe e largon nga vendet që kërkojnë një BE më funksionale dhe më të shpejtë në vendimmarrje.

Si të kapërcehet bllokimi

Analiza paraqet disa alternativa për të shmangur veton:

  • “Klauzola e kalimit, e parashikuar në Traktatin e Lisbonës
  • Abstenimi konstruktiv, që lejon veprim pa bllokim;
  • Bashkëpunimet e përforcuara, ku një grup shtetesh ecën përpara pa pritur të gjithë.

Sipas autorëve, e ardhmja e politikës së jashtme dhe të sigurisë së BE-së varet nga aftësia për të kapërcyer unanimitetin. Përndryshe, paralajmërohet se vetoja do të vazhdojë të përdoret si “bankomat” politik, duke i dhënë avantazh vendeve që minojnë unitetin evropian.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu