Komisioni Evropian njoftoi të martën se ka hapur një hetim të thelluar ndaj katër platformave pornografike të mëdha – Pornhub, Stripchat, XNXX dhe XVideos – për shkak të mungesës së masave efektive për verifikimin e moshës dhe mbrojtjen e të miturve, në përputhje me Aktin e Shërbimeve Dixhitale të BE-së (DSA).

Sipas Komisionit, të katërta platformat përdorin metoda të thjeshta dhe të pasigurta të verifikimit të moshës, të cilat lejojnë të miturit të aksesojnë përmbajtje të papërshtatshme me vetëm një klikim.

“Të gjitha platformat përdorin forma të ashtuquajtura *click-away* për verifikimin e moshës, të cilat dyshojmë se nuk përputhen me kërkesat e DSA-së së BE-së”, tha një zyrtar i Komisionit.

Hetimi do të shqyrtojë nëse këto platforma respektojnë rregullat e BE-së për sigurinë e fëmijëve në internet, si dhe nëse kanë marrë masa për të vlerësuar dhe reduktuar rreziqet që këto shërbime paraqesin për mirëqenien mendore dhe fizike të të miturve.

Komisioni konfirmoi se hetimi do të zhvillohet me përparësi të lartë, duke theksuar rëndësinë e mbrojtjes së fëmijëve në mjedisin digjital.

Po ashtu, BE po bashkëpunon me shtetet anëtare për të monitoruar edhe platformat pornografike më të vogla, me më pak se 45 milionë përdorues në muaj. Sipas planeve, një mjet i përbashkët evropian për verifikimin e moshës pritet të finalizohet brenda vitit të ardhshëm.

Ndërkohë, në njoftimin e së martës, Komisioni bëri të ditur se faqja Stripchat, me bazë në Qipro, nuk do të klasifikohet më si një Platformë Shumë e Madhe Online (VLOP).

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu