
Bashkimi Europian miraton 6 rregullore të reja që ndryshojnë totalisht udhëtimin me kafshë – më shumë kontroll, më shumë përgjegjësi dhe rrezik real bllokimi në kufi.
Nga 22 prilli 2026, udhëtimi me kafshë shtëpiake në Europë hyn në një epokë të re. Bashkimi Europian ka miratuar një paketë me 6 rregullore të reja që forcojnë ndjeshëm kontrollet dhe rregullat për lëvizjen e kafshëve.
Ndryshimi nuk prek vetëm qentë dhe macet, por përfshin edhe specie të tjera, madje edhe kafshë për gara, shpëtim apo përdorime profesionale.
Një nga pikat më të forta është përgjegjësia e pronarit. Sipas rregullave të reja, pronari është drejtpërdrejt përgjegjës për shëndetin e kafshës dhe duhet të garantojë që ajo nuk paraqet simptoma sëmundjeje përpara udhëtimit.
Mikroçipi bëhet praktikisht i detyrueshëm dhe duhet të jetë i regjistruar saktë në databazat europiane. Autoritetet do të kenë akses në kohë reale dhe çdo mospërputhje mund të çojë në ndalim apo sekuestrim.
Një tjetër ndryshim i madh është kufizimi në maksimum 5 kafshë për udhëtim, përfshirë edhe zogjtë shtëpiakë, për të shmangur abuzimet dhe rrezikun e përhapjes së sëmundjeve si gripi i shpendëve.
Për herë të parë, futet edhe koncepti i “personit të autorizuar”, që mund të udhëtojë me kafshën në vend të pronarit, por vetëm me dokument të firmosur zyrtarisht.
Rregullat për vaksinat mbeten të rrepta, sidomos për tërbimin. Në disa raste kërkohen edhe analiza shtesë për kafshët që vijnë nga vende jashtë BE-së.
Për disa shtete si Irlanda, Finlanda apo Norvegjia, kërkohen trajtime të detyrueshme kundër parazitëve, me afate shumë të sakta. Nëse nuk respektohen, kafsha mund të refuzohet në kufi ose të futet në karantinë.
Një tjetër risi është kontrolli i zogjve shtëpiakë, të cilët mund të detyrohen të kalojnë izolim dhe kontrolle shtesë për të parandaluar përhapjen e gripit të shpendëve.
Ndërkohë, sistemi i pasaportave për kafshët standardizohet dhe lidhet me databaza dixhitale, duke i bërë kontrollet më të shpejta për ata që janë në rregull, por shumë më të ashpra për ata që shkelin rregullat.
Ekspertët paralajmërojnë se udhëtimi me kafshë nuk mund të improvizohet më. Çdo dokument, vaksinë dhe afat duhet respektuar në mënyrë strikte.
Në të kundërt, pasojat mund të jenë të rënda: nga bllokimi në kufi deri te sekuestrimi i kafshës.






