
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka reaguar me tone të ashpra ndaj vendimit të Komisionit Europian për të gjobitur kompaninë teknologjike Google me 2.95 miliardë dollarë, duke e cilësuar si një “sulm ndaj shpikësisë amerikane”.
Në një postim në platformën Truth Social, Trump shkroi:
“Evropa sulmoi sot një tjetër kompani të madhe amerikane, Google. Kjo nuk do të mbetet pa përgjigje.”
Presidenti amerikan paralajmëroi se nëse Bashkimi Evropian nuk tërhiqet nga gjobat që ai i cilëson si “të padrejta”, do të aktivizojë nenin 301 të Aktit Amerikan të Tregtisë, një mekanizëm që lejon vendosjen e tarifave ndëshkuese ndaj vendeve që dëmtojnë interesat tregtare të SHBA.
“Nuk mund të lejojmë që shpikësia amerikane, unike dhe e paparë, të ndëshkohet në këtë mënyrë. Nëse ndodh, do të filloj zbatimin e nenit 301 për të anuluar këto ndëshkime të padrejta ndaj kompanive tona që paguajnë taksa,” shtoi Trump.
Vendimi i Komisionit Europian u publikua vetëm pak orë më parë, duke akuzuar Google për abuzim me pozitën dominuese në tregun e reklamave digjitale. Kjo është gjoba e katërt me radhë që BE i vendos gjigantit amerikan, në kuadër të hetimeve për shkelje të rregullave të konkurrencës.
Zyrtarët evropianë kërkojnë që Google të ndalojë praktikat e vetë-favorizimit dhe të shmangë konfliktet e interesit brenda zinxhirit të teknologjisë së reklamave. Komisioni ka lënë të hapur mundësinë për masa më të forta nëse kompania nuk propozon një zgjidhje të pranueshme brenda 60 ditëve.
Pavarësisht kundërshtimeve nga Google dhe paralajmërimeve të Trump, Brukseli ka sinjalizuar se do të vazhdojë monitorimin dhe ndëshkimin e sjelljeve antikonkurruese, si pjesë e përpjekjeve për të rregulluar tregun dixhital europian.