
Komisioni Europian pritet të hapë një procedurë të re hetimi ndaj Meta-s, lidhur me përdorimin e teknologjisë së inteligjencës artificiale (AI) në platformën WhatsApp. Lajmi u konfirmua të enjten nga komisionerja europiane për Konkurrencën, Teresa Ribera, gjatë një seance para Parlamentit Europian.
Ribera u shpreh se Komisioni është gati të hapë procedurën hetimore, por theksoi se akti ende nuk është nënshkruar. Hetimi do të fokusohet në mënyrën se si Meta po integron asistentët e saj me AI brenda WhatsApp dhe nëse kjo përbën shkelje të rregullave të konkurrencës.
Pse po hetohet Meta?
Sipas raportimit të Financial Times, hetimi pritet të analizojë nëse Meta po abuzon me pozicionin dominues në treg përmes integrimit të AI në WhatsApp.
E rëndësishme është se kjo procedurë do të zhvillohet jo nën kuadrin e Aktit të Tregjeve Dixhitale (DMA), por në bazë të rregullave tradicionale antitrust të BE-së.
Ndërkohë, Italia ka prej korrikut një hetim të hapur ndaj Meta-s për të njëjtën çështje, duke shqyrtuar nëse përfshirja e AI në platformë ndikon në konkurrencën e lirë.

Ribera: Rregullatorët duhet të reagojnë me shpejtësi
Duke folur përpara eurodeputetëve, Ribera theksoi nevojën për një qasje “dinamike” nga rregullatorët, duke marrë parasysh shpejtësinë e madhe me të cilën evoluojnë tregjet digjitale, veçanërisht AI dhe shërbimet cloud.
Ajo u shpreh gjithashtu se rregullat digjitale të BE-së nuk po përdoren si mjet presioni në negociata tregtare, duke iu përgjigjur shqetësimeve mbi presionet e mundshme amerikane lidhur me hetimet ndaj gjigantëve të teknologjisë në SHBA.
Hetimi i ri ndaj Meta-s pritet të jetë një nga çështjet më të rëndësishme të konkurrencës në BE për vitin 2026.







