
Bashkia e Vlorës ka hapur zyrtarisht thirrjen për plotësimin e 12 vendeve të lira drejtuesish në struktura të ndryshme të administratës vendore. Lajmin e bëri të ditur kryetari i Bashkisë, Ermal Dredha, përmes një njoftimi në rrjetin social Facebook.
“Pas dorëheqjeve të drejtorëve të drejtorive, Bashkia Vlorë ka shpallur vakancat për të gjithë ata që besojnë se kanë përvojën, gatishmërinë dhe përgjegjshmërinë e duhur për të kontribuar dhe për t’i shërbyer zhvillimit të qytetit, në të gjitha nivelet,” – shkruan Dredha.
Sipas tij, në faqen zyrtare të Bashkisë së Vlorës janë publikuar procedurat që duhen ndjekur për një pjesë të pozicioneve, ndërsa për pjesën tjetër dokumentacioni është në proces hartimi dhe do të publikohet së shpejti.
Kryebashkiaku i bën thirrje të gjithë të interesuarve që të dorëzojnë dokumentacionin brenda afateve të përcaktuara për secilin pozicion.
Pozicionet e shpallura aktualisht janë:
- Drejtor në Drejtorinë e Projekteve të Huaja, Integrimit Europian dhe Diasporës
- Drejtor në Drejtorinë e Auditimit të Brendshëm
- Drejtor në Drejtorinë e Protokoll-Arkivës
- Kryeinspektor në Inspektoriatin e Mbrojtjes së Territorit
- Drejtor në Policinë Bashkiake
- Drejtor në Ndërmarrjen e Shërbimeve Publike
- Drejtor në Ndërmarrjen e Gjelbërimit
- Drejtor në Ndërmarrjen e Pastrimit
- Drejtor në Drejtorinë e Mbrojtjes Civile
- Drejtor në Qendrën Kulturore të Fëmijëve
- Drejtor në Shtëpinë e Foshnjës
- Drejtor në Teatrin “Petro Marko”
Procesi i rekrutimit pritet të zhvillohet në përputhje me ligjin për nëpunësit civilë dhe aktet përkatëse në fuqi. Bashkia e Vlorës fton profesionistët që duan të kontribuojnë për qytetin dhe zhvillimin e tij, të aplikojnë në këto pozicione drejtimi.