Tiranë – Drejtuesi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka kritikuar ashpër nga foltorja e Kuvendit ndryshimet e propozuara në Kodin Penal, duke i cilësuar ato si një goditje ndaj qytetarëve të zakonshëm, ndërkohë që, sipas tij, zyrtarë të lartë të qeverisë mbeten të pandëshkuar për abuzime financiare.

Gjatë seancës plenare të pasdites, Bardhi deklaroi se ndryshimet synojnë kriminalizimin e parkimit dysh, një shkelje administrative që, sipas tij, nuk konsiderohet vepër penale në asnjë vend tjetër. Ai ironizoi faktin se qytetarët përballen me masa të rënda ndëshkuese, ndërsa, sipas tij, korrupsioni në nivelet e larta tolerohet.

“Më gjeni një vend të dytë që parkimin dysh ta kenë vepër penale. Këta që kanë dekriminalizuar korrupsionin vjedhin 50 milionë euro me një dorë dhe thonë pse të shkojë ajo në burg. Ama po parkove dysh, të fusin në burg”, u shpreh Bardhi.

Ai shtoi se në një realitet ku ndërtohen kulla të reja pa infrastrukturë të mjaftueshme rrugore, qytetarët ndëshkohen për parkim dyfish, ndërsa zyrtarë të lartë, sipas tij, vijojnë aktivitetin politik pa u mbajtur përgjegjësi.

Bardhi theksoi gjithashtu se Kodi Penal është ndryshuar disa herë ndër vite, gjithmonë në përputhje me standardet e Bashkimit Europian, duke kujtuar se në vitin 2012 Kuvendi miratoi dekriminalizimin e shpifjes, ndërsa sot kërkohet dekriminalizimi i plotë i saj.

Në fund të fjalës së tij, Bardhi sulmoi drejtpërdrejt zv/kryeministren Belinda Balluku, duke deklaruar se ajo do të vijë në Kuvend për të votuar ndryshimet në Kodin Penal, pavarësisht akuzave për abuzime financiare.

“Qytetari që parkon dysh duhet të futet në burg me votën e Belinda Ballukut, ndërsa zv/kryeministrja vjedh 50 milionë euro dhe vjen të votojë për ta futur qytetarin në burg”, përfundoi Bardhi.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu