
Kreu i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi, ka akuzuar mazhorancën për mohimin e debatit parlamentar dhe përpjekjet për të shtypur zërin e opozitës në Kuvend. Në një deklaratë për mediat, Bardhi tha se ashtu si në seancën e 18 shtatorit, ku programi dhe përbërja e qeverisë kaluan pa asnjë debat, edhe sot u konfirmua qartë se kush e do një Parlament pa zë dhe pa përballje.
Sipas tij, refuzimi nga PS i mocionit me debat për të diskutuar mbi prioritetet e vendit dhe për të dënuar gjenocidin serb në Kosovë, është një tregues i qartë i mendësisë autokratike që, siç u shpreh ai, e kthen Shqipërinë në një republikë kryeministrore.
Gazment Bardhi: Maxhoranca doli zbuluar, si në rastin e 18 shtatorit, ku përbërja edhe programi i qeverisë, kaloi pa debat. Sot u rrëzua dhe alibia se opozita prishi seancën. Sot duket se kush e do Kuvendin e Shqipërisë memec, dhe mos të debatojë. Është e paimagjinueshme për çdo parlament funksional, që qeveria i ikën debatit për prioritetet e Shqipërisë.
Mohimi i të drejtës për debat të kërkuar nga opozita tregon mendësinë e Ramës për ta bërë Shqipërinë në republikë kryeministrore. Deputetët e PS vetëm votojnë. Kërkesa për mocion me debat e opozitës ishte e qartë. Për ne Kuvendi është vendi ku debatohet dhe flitet. Sot u refuzua një tjetër mocion me debat për gjenocidin në Kosovë, për të dënuar gjenocidin serb.
Në 17 maj 2019 Kuvendi i Kosovës ka miratuar një rezolutë për dënimin e gjenocidit serb. Në vizitën zyrtare të 16 dhjetorit 2020 presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani do të bënte këtë thirrje; Rruga e Kosovës ka qenë plotë sfida. Që mos të përmbyset e vërteta, kemi nevojë për zërin e Shqipërisë që të jetë zëri ynë atje ku nuk kemi zë. Kemi nevojë për ndihmë nga Shqipëria. I bëjmë thirrje Kuvendit të Shqipërisë që të miratojë një rezolutë që dënon gjenocidin serb”. Kanë kaluar disa vite dhe ende nuk ka një kërkesë. Kërkesa jonë për rezolutë u refuzua./Syri