
Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar ndaj deklaratave të kryeministrit Edi Rama për protestën e organizuar dje nga opozita, duke e cilësuar Ramën si një kryeministër “të skaduar” dhe duke e akuzuar për mbrojtje të korrupsionit dhe lidhje me krimin e organizuar.
Në reagimin e tij, Bardhi shprehet se mënyra se si Rama iu përgjigj protestuesve është tipike për regjime që, sipas tij, kanë humbur kontrollin dhe legjitimitetin politik.
“Edi Rama është një kryeministër i skaduar dhe mbrëmë reagoi kundër protestuesve si çdo regjim i korruptuar që ka humbur kontrollin: me dhunë shtetërore, gaz lotsjellës të skaduar dhe ujë me piper”, shkruan Bardhi.
Sipas tij, në vendet europiane, një kryeministër që përballet me skandale korrupsioni dhe i përgjigjet qytetarëve me dhunë, nuk qeveris më, por largohet nga detyra.
Bardhi akuzon Ramën se është shndërruar në “avokat të korrupsionit”, duke përmendur rastin e zëvendëskryeministres Belinda Balluku, ndërsa hedh akuza edhe për paracaktim tenderash dhe lidhje mes qeverisë dhe krimit të organizuar.
Ai gjithashtu kritikon emërimet në Policinë e Shtetit dhe sulmet ndaj sistemit të drejtësisë, të cilat, sipas tij, bëhen për të mbrojtur interesat personale dhe politike të kryeministrit.
“Po, kudo në botë, regjimet e korruptuara reagojnë me dhunë ndaj protestuesve. Ky është Edi Rama”, thekson Bardhi, duke shtuar se, sipas tij, as përdorimi i gazit lotsjellës dhe as mjetet e tjera të dhunës nuk do ta mbrojnë më qeverinë.
Në përfundim, Bardhi deklaron se “koha e kryeministrit të korrupsionit dhe e karteleve të drogës ka skaduar”, duke paralajmëruar vijimin e aksionit opozitar kundër qeverisë.



