
Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka lëshuar akuza të forta ndaj kryeministrit Edi Rama, duke e akuzuar se po sfidon drejtësinë dhe standardet europiane përmes refuzimit për të shkarkuar zëvendëskryeministren Belinda Balluku, e pezulluar nga GJKKO dhe nën hetim nga SPAK për shkelje në tendera publikë.
Gjatë deklaratës për mediat, Bardhi tha se Rama dhe Balluku janë “bashkë në aferën 190 milionë euro të tunelit të Llogarasë”, duke aluduar për paracaktim të kompanisë fituese dhe komunikime të paligjshme mes tyre. Ai deklaroi se Rama nuk e shkarkon Ballukun sepse “është vetë i zhytur në korrupsion dhe i shantazhuar nga bashkëpunëtorja e tij më e afërt”.
Sipas tij, vendimi i kryeministrit për të mos vepruar sipas ligjit është antidemokratik dhe i papranueshëm në një vend që synon integrimin europian. Bardhi solli si shembull ish-kryeministrin portugez António Costa, i cili dha dorëheqjen menjëherë sapo u përfshi në një hetim, “për të mos cenuar dinjitetin e shtetit”.
Bardhi publikoi edhe një foto të vitit 2021, ku pretendon se Rama dhe Balluku kanë pozuar me përfaqësues të kompanisë së cilës, sipas tij, i është dhënë paracaktuar tenderi i tunelit të Llogarasë, tre muaj para hapjes së garës zyrtare. “Kjo nuk ndodh në asnjë vend të Europës”, tha ai.
Ai theksoi se skandali i Llogarasë është “vetëm maja e ajsbergut” të aferave korruptive mes Ramës dhe Ballukut dhe shtoi se veprimet e kryeministrit tregojnë se “qeveria është kapur nga korrupsioni, paratë dhe interesat personale”.
Bardhi i bëri thirrje qytetarëve që të bashkohen në Foltoren e opozitës të hënën në orën 18:00 para Kryeministrisë, për të protestuar kundër asaj që e cilësoi “kapja e shtetit nga korrupsioni”.




