Situata në Theth pas ndërhyrjes së IKMT-së ka vijuar të shkaktojë reagime të forta, jo vetëm nga banorët e zonës, por edhe nga pjesë të opinionit publik që kanë shkuar për t’u solidarizuar me ta. Një grup burrash nga Mirdita kanë udhëtuar drejt fshatit turistik në veri të vendit për të treguar mbështetjen e tyre për familjet e prekura nga shembjet e ndërtesave pa leje.

Ndër ta është bashkuar edhe ish-deputeti Kujtim Gjuzi, i cili ka dhënë një deklaratë për mediat në vendngjarje, ku theksoi se situata është ende në kohë për të shmangur përshkallëzimin.

“Shyqyr deri tani nuk ka gjak. Përderisa nuk ka gjak, jemi ende në kohë për bashkëbisedim me të gjithë. Nuk e kemi me ngut, por shkojmë atje për t’u thënë që jemi këtu”, u shpreh Gjuzi.

Ai ka cilësuar aksionin e IKMT-së në Dukagjin jo si një “prerje në besë”, por si një krim dhe kërkoi që qeveria të marrë masa për dëmshpërblimin e banorëve.

“Të shkosh në Dukagjin e të shembësh shtëpitë, pasi u ke thënë që do t’i gëzojnë, nuk quhet prerje në besë, por krim. Duhet dëmshpërblim familje për familje, për çdo fadromë që ka shkuar”, tha Gjuzi, duke theksuar se nuk po flet si përfaqësues politik, por si qytetar.

Ai u shpreh se sipas Kanunit, çdo dëm duhet të shlyhet më parë me pagesë, dhe nuk duhet lejuar që situata të degjenerojë në gjakderdhje.

“Nuk duam gjak, ama mos bëj gjak. Çdo gjë shlyhet me pagesë, edhe me Kanun. Dëmi paguhet si fillim,” përfundoi Gjuzi.

Zhvillimet në Theth kanë qenë në fokus të vëmendjes publike këto ditë, pas aksionit të ndërmarrë nga Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit, që shembi mbi 100 ndërtime pa leje, të cilat ishin ngritur në kundërshtim me ligjin në një zonë të mbrojtur natyrore. Ndërkohë, reagimet qytetare dhe politike rreth mënyrës së ndërhyrjes vazhdojnë të shtohen.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu