
Prishtinë, 9 nëntor 2025 – Sot në Kosovë po zhvillohet raundi i dytë i zgjedhjeve lokale, balotazhi, në 18 komuna të vendit, ku qytetarët po zgjedhin kryetarët e tyre për katër vitet e ardhshme.
Sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), deri në orën 09:00 kanë votuar mbi 26 mijë qytetarë, që përfaqësojnë rreth 2 për qind të trupës zgjedhore.
Në këtë proces kanë të drejtë vote 1 milion e 316 mijë qytetarë me të drejtë votimi.
Balotazhi po zhvillohet në komunat: Prishtinë, Gjakovë, Gjilan, Dragash, Kaçanik, Klinë, Fushë-Kosovë, Mitrovicë e Jugut, Obiliq, Rahovec, Pejë, Prizren, Suharekë, Viti, Vushtrri, Junik, Mamushë dhe Kllokot.
Kurti voton dhe u bën thirrje qytetarëve
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, votoi mëngjesin e sotëm, duke ftuar qytetarët të shfrytëzojnë të drejtën e tyre për të zgjedhur drejtuesit lokalë.
“Është një ditë e mirë për demokracinë, ndaj i ftoj të gjithë qytetarët të vendosin për katërvjeçarin e ardhshëm”, – tha Kurti pas votimit.
Procesi zhvillohet pa probleme
KQZ njoftoi se të gjitha 1628 vendvotimet janë hapur në orën 07:00 dhe procesi po zhvillohet normalisht në 507 qendra votimi në gjithë territorin e Kosovës.
Zëdhënësi Valmir Elezi deklaroi se materialet zgjedhore janë shpërndarë me kohë dhe nuk janë raportuar incidente në orët e para të mëngjesit.
Edhe kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, u bëri thirrje qytetarëve që të votojnë të qetë dhe të respektojnë ligjin zgjedhor:
“Çdo gjë është gati për një proces të rregullt. Ftoj qytetarët të shprehin vullnetin e tyre përmes votës në këto 18 komuna.”
Shteti në gatishmëri: 80 prokurorë dhe forca të shtuara policore
Për mbarëvajtjen e procesit, Prokuroria e Shtetit ka vendosur në terren rreth 80 prokurorë në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, për të garantuar integritetin dhe mbrojtjen e votës së lirë.
Koordinatorja kombëtare për zgjedhje, prokurorja Laura Pula, mbikëqyr në mënyrë të drejtpërdrejtë zbatimin e detyrave të koordinatorëve rajonalë.
Policia e Kosovës, ndërkohë, ka hartuar një plan operativ sigurie, me masa shtesë në çdo komunë për garantimin e qetësisë publike.
Në njoftimin e saj, Policia thekson se do të ndërhyjë menjëherë në rast të çdo parregullsie, incidenti apo përpjekjeje për manipulim të votës.
Deklaratat e kandidatëve
Kandidati i Vetëvendosjes për Prishtinën, Hajrulla Çeku, pas votimit tha se “sot përmbyllet një cikël i gjatë zgjedhor” dhe uroi “katër vite të mbara për kryeqytetin”.
Në disa komuna të tjera, kandidatët raportojnë pjesëmarrje të qetë dhe proces pa pengesa.
Pjesëmarrja pritet të rritet në orët e mesditës
KQZ do të publikojë raportin e radhës për pjesëmarrjen në orën 11:00, ndërsa vendvotimet do të qëndrojnë të hapura deri në ora 19:00.
Pritet që fluksi i votuesve të rritet në mesditë dhe pasdite, ashtu si në raundet e mëparshme zgjedhore.







