Pas një mungese të gjatë në Kuvend, zëvendëskryeministrja Belinda Balluku është rikthyer sot në seancën plenare. Balluku nuk ishte parë në Kuvend që prej kohës së arrestimit të ish-kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, një ngjarje që tronditi skenën politike dhe e vunë në qendër të debateve si një Nesti Angoni e mundshme për shkak të rivalitetit brenda partisë mes të dyve.

Gjatë kësaj periudhe, mungesa e saj është bërë objekt i debateve të forta në Parlament. Opozita ka kërkuar me ngulm paraqitjen e zëvendëskryeministres në Kuvend, duke e akuzuar për shmangie nga përgjegjësitë dhe për mungesë transparence mbi çështje të rëndësishme që lidhen me sektorët që ajo mbulon.

Në fakt, gjatë gjithë periudhës së fushatës zgjedhore, Balluku ka qenë e angazhuar intensivisht në Qarkun e Fierit, ku ka mbajtur rolin e drejtueses politike të Partisë Socialiste. Ajo ka qenë aktive në terren, duke drejtuar dhe koordinuar fushatën elektorale të socialistëve në këtë qark.

Rikthimi i saj në sallën e Parlamentit ndodhi me rastin e prezantimit të projektligjit “Për prodhimin, transportin, tregtimin dhe përdorimin e biokarburanteve dhe të lëndëve të tjera djegëse, të rinovueshme për transport”. Një nismë që synon të rregullojë tregun e biokarburanteve, për të garantuar standarde mjedisore dhe energji më të pastër.

Prania e Ballukut në seancën e sotme u vu menjëherë re, duke qenë se mungesa e saj kishte ngjallur jo pak diskutime dhe reagime, sidomos nga radhët e opozitës, e cila ka kërkuar përgjigje të drejtpërdrejta për një sërë çështjesh të nxehta që kanë qenë në qendër të debatit politik këto javë.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu