
Ministrja e Energjisë dhe Infrastrukturës, Belinda Balluku, së bashku me Ministrin e Mbrojtjes, Pirro Vengu dhe atë të Bujqësisë, Andis Salla, kanë dalë këtë të enjte, 8 janar në terren lidhur me problematikat e shkaktuara nga moti i keq i këtyre ditëve.
Ata ndodeshin në Novoselë, ku situata paraqitet kritike si pasojë e rritjes së nivelit të ujit nga reshjet e rëna përgjatë orëve të fundit dhe natës së kaluar.
Zëvendëskryeministrja, u shpreh se ka një bashkëpunim të mirë nga kryebashkiakët e bashkive të prekura, por gjithashtu dhe nga të gjithë ata të bashkive të tjera të qarqeve Vlorë dhe Fier.
“Është e rëndësishme që të dyja prefekturat, si e Vlorës ashtu dhe e Fierit, janë të gjithë kryetarët e bashkive të angazhuar në këto momente, jo vetëm në qytetet e prekura, jo vetëm Vlora e Fieri, por të gjithë kryetarët e bashkive të tjerë që janë pjesë e këtyre dy qarqeve. Janë të angazhuar për ngritjen e të gjitha qendrave të akomodimit për evakuuim”, u shpreh ajo.
Balluku shprehet se janë ndërmarrë masat e nevojshme jo vetëm për evakuuimin e banorëve, por gjithashtu dhe shpëtimin e gjësë së gjallë.
“E kemi parë e në periudhën e termetit, që banorët nuk duan të largohen nga pronat e tyre, por jeta është e rëndësishme në këto momente. Sigurisht ne kemi marrë masa, me Ministrin e Bujqësisë, për sa i përket të gjithë angazhimit për mbrojtje dhe shpëtimin edhe të gjësë së gjallë në këto momente”, tha ajo.
Ministrja bën me dije se ditën e premte, 9 janar, në orën 8:30, do të mblidhet Komiteti i Emergjencave Ndërqeveritare, nga ku do të ketë dhe adresim të problematikave, zgjidhjeve, si dhe njoftimin e dëmshpërblimeve nga pasojat e motit të keq. Siç sqaron Balluku, kreu i qeverisë, Edi Rama po harton me Ministrinë e Financave një plan për dëmshpërblime të të gjithë të prekurve.
“Duhet të jeni në dijeni se kryeministri është duke dizejnuar së bashku me Ministrinë e Financave në këto momente një paketë e cila do të garantojë dëmshpërblimin si për pjesën bujqësore ashtu edhe për banesat. Nesër në mëngjes në orën 8:30 do të ketë një mbledhje të Komitetit të Emergjencave Ndërqeveritare, ku do të bëhet dhe një adresim nga ana e kryeministrit jo vetëm për zgjidhjen e situatës, e për gjithë përballimin e kësaj situate, por edhe për dëmshpërblime që janë shumë të rëndësishme për t’u bërë të ditura dhe për të marrë informacion të gjitha familjet apo dhe bizneset e prekura”, tha ajo.
/tvklan.al






