
Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, njëherësh dhe Drejtues Politik për Diasporën, Taulant Balla, zhvilloi pasditen e sotme një vizitë në Gjakovë, ku u takua me drejtuesit e Devolli Group, vëllezërit Blerim dhe Shkëlqim Devolli.
Gjatë vizitës në ambientet e kompanisë, Balla u njoh nga afër me pasojat e zjarrit të rënë një ditë më parë në fabrikën Comoditá, e konsideruar si fabrika më e madhe në Europë në llojin e saj. Ai e cilësoi ngjarjen si një dëm të madh jo vetëm për ekonominë e Kosovës, por edhe për mbarë hapësirën shqiptare.
Sipas Ballës, Shkëlqim Devolli e informoi atë mbi shkallën e dëmeve të shkaktuara, por edhe mbi lajmin pozitiv se prodhimi pritet të rifillojë që nga dita e hënë. “Ky është një sinjal i fortë i qëndrueshmërisë dhe vizionit sipërmarrës të Devolli Group,” u shpreh ai.
Devolli Group punëson rreth 10 mijë punonjës në total në bizneset e saj në Kosovë, Shqipëri, Maqedoninë e Veriut dhe vende të tjera, duke qenë një nga grupet më të mëdha dhe më të rëndësishme ekonomike në rajon.
Taulant Balla theksoi se është i bindur që kjo vështirësi e madhe do t’u japë drejtuesve të kompanisë edhe më shumë kurajë dhe besim për ta tejkaluar situatën, duke kontribuar më tej në forcimin e ekonomisë së Kosovës dhe të gjithë shqiptarisë.






