Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla sqaroi edhe një herë rritjen e pensioneve nga qeverisja socialiste pasi një deputet i opozitës iu referua nënës së tij gjatë debatit për rritjen e pensioneve.

Balla reagoi duke sfiduar opozitën me llogaritjet e rritjes reale të pensioneve.

“Bëre shumë gabim që ju referove nënës sime që ka punuar 40 vjet e kusur infermiere, një punë e ndershme në shërbim të njerëzve, me turne pa turne. Nuk jam unë i biri i ndërtuesve që i kanë zënë frymën Tiranës,” deklaroi Balla.

Gjatë replikës së tij, Balla prezantoi me detaje rritjet e parashikuara të pensioneve, duke i akuzuar deputetët e opozitës për keqinterpretim dhe manipulim të shifrave.

“Si ke qenë me matematikën, mos je gjë nga këta të Lulit?”, ironizoi ai para se të rendiste shifrat:
· 2026: rritje 18.000 lekë në muaj
· 2027: rritje 36.000 lekë në muaj
· 2028: rritje 54.000 lekë në muaj
· 2029: rritje 72.000 lekë në muaj
Sipas Ballës, opozita i ka keqinterpretuar edhe bonuset vjetore për pensionistët.
“Bonusi nuk është rritje pensioni. Bonusi është tepricë. Kur kemi tepricë, e ndajmë. Dhe e kemi bërë dy herë këtë vit,” u shpreh ai, duke nënvizuar se çdo vendim merret mbi bazën e performancës ekonomike.

Në vijim, Taulant Balla foli për projektligjin për partneritetet publik-privat.
“Nuk jemi në sistem komunist ku çdo shërbim publik ofrohet vetëm nga paratë publike. Në ShBA, në Gjermani, në shumë vende të tjera, një pjesë e shërbimeve ofrohet nga privati—por ne duam t’i kontrollojmë,” tha ai.
Sipas tij, çdo koncesion tani do të kalojë vetëm me dakordësimin e Ministrisë së Financave, duke shtuar transparencën dhe kontrollin.

Balla nuk kurseu ironinë ndaj deputetëve të PD-së që lanë seancën për të marrë pjesë në festimet e 35-vjetorit të partisë.
“Ta gëzoni 35-vjetorin e partisë suaj. Uroj që 36-vjetori mos t’ju gjejë kaq të hallakatur. Keni prishur traditën e viteve, që ftonit edhe kundërshtarët,” tha ai.

Në fund, Taulant Balla u ndal te zgjedhja e drejtuesit të ri të Prokurorisë së Posaçme, duke theksuar se procesi i standardeve europiane.
“Lejoni t’i uroj punë të mbarë drejtuesit të ri të SPAK. Jemi krenarë për reformën në drejtësi, për të cilën kemi dhënë kontribut të pazëvendësueshëm,” deklaroi ai, duke vlerësuar edhe punën e Arben Dumanit, që sapo ka përmbyllur mandatin.

 

Fjala e plotë e Taulant Ballës

Bëre shumë gabim që iu referove nënës sime që ka punuar 40 vjet e kusur infermiere. Një punë e ndershme në shërbim të njerëzve, me turne pa turne të gjithë jetën e vet. Dakord. Nuk jam unë i biri i ndërtuesve që i kanë zënë frymën Tiranës që të jemi korrekt bashkë, dakord.

Edhe ngrije kokën kur flas unë.
E dyta. Si ke qenë me matematikën, mos je gjë nga këta të këtij Lulit? Ti tani dëgjo këtu, meqë përmende pensionin e nënës sime dhe si ia kam shpjeguar unë asaj. Po, është e vërtetë.

Nëna ime do të marrë një rritje 18.000 lekë në muaj në çdo muaj të vitit 2026.

18.000 herë 12 bëjnë 216.000, mbaj shënim. Si the për 2027, dëgjoje tani për 2027 rritja do të jetë 36.000 në muaj herë 12 do të jetë 432.000. Tani 216 është më e vogël apo më e madhe se 432.000? Për vitin 2027 do të jetë 2 herë më e madhe. Për vitin 2028 rritja do të jetë 54.000 lekë për çdo muaj.

Ore je mirë ti more, ku e ke bërë matematikën ore zotëri?

Për 2026-ën do të jetë 18.000 lekë në muaj rritja e pensionit, por 2027-ën do të jetë 36.000 lekë. Për 2028, 54.000 lekë çdo muaj. Dhe për 2029 do të jetë 72.000 lekë në çdo muaj. E kupton. Apo s’e kupton. Pra do të jetë 72 herë 12, 844 në vit dhe të gjitha këto, të gjitha këto do të jenë 2.160.000 lekë rritja.

Sa i përket bonusit, se kur s’kupton pyet. Bonusi or djalë nuk është rritje pensioni. Nuk është rritje pensioni bonusi. Bonusi, ne e kemi thënë, i qëndrojmë fjalës sonë. Sa më shumë performancë ekonomike, çfarë të na krijohet ky grup parlamentar do të qëndrojë qëndrimit për të kërkuar dhe angazhimin e qeverisë, që çfarë të teprojë ta çojmë pensionin.

Bonusi është tepricë. Kur kemi tepricë do të çojmë dhe kemi bërë diskutim edhe më gjerë se kaq në grup parlamentar. Nëse do të ftojmë edhe ty po do të vish se ne nuk bëmëj mbledhje kot dhe kemi bërë pikërisht për të parë, se sa dhe si mund të jetë. Kishim tepricë 2 herë këtë vit se ti s’ke qenë këtu. Bëmë një në dhjetor vjet. Bëmë edhe në pranverë. Bëmë edhe një në dhjetor. Po e marrin bonusin.

Prandaj të lutem shumë erdhe këtu. Gënjeve. The në 2027 do të jetë më e vogël se 2026-a. Nuk është kështu. Bonusi dhe rritja i dashur janë gjë tjetër.

Tani meqë jam këtu, se doja të flisja për koncesionet dhe partneritetin publik privat. Opozitë si ju ne na bëni nder. Unë të isha deputet i opozitës dhe të mbaja mend ç’kam thënë në gjithë këto vite sot do vija ta votoj. Sepse ligji që keni përpara merr në konsideratë të gjitha sugjerimet, gjetjet, kritikat që i janë bërë ndër vite, përfshirë këtu kritikat me vend që vijnë ose sugjerime që vijnë nga Bashkimi Europian.

Po i japim një autoritet të rojës fiskale Ministrisë së Financave, është normale. Dhe juve duhet të jeni dakord që mos kalojë asnjë koncesion pa marrë dakordësimin e ministrisë së financave.

Nuk jemi në sistemin komunist ku të gjitha shërbimet publike duhen ofruar vetëm nga paratë publike. Në këtë sistem që kemi zgjedhur sipas gjithë modelit, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Gjermani, ku doni ju, një pjesë e shërbimeve publike ofrohen nga privati, por ne duam t’i kontrollojmë.

E fundit, do doja t’i uroja kolegët e grupit parlamentar të Partisë Demokratike që kanë ikur në festën e partisë së tyre, ditën e themelimit pra festën e partisë tyre. Ta gëzoni 35- vjetorin e partisë tuaj. Uroj që 36- vjetori mos e gjejë kaq të hallakatur si ju gjeti 35-vjetori.

Dhe e keni prishur një traditë që ka qenë ndër vite, që ftoni edhe kundërshtarët. Mund të na kishit ftuar edhe ne dhe do kishim ardhur me shumë dëshirë.

E fundit zoti kryetar. Meqenëse mu dha rasti dhe e dëgjova një këtu që bën shpesh si avokati i SPAK-ut, avokat i drejtësisë së re, më lejoni që në emër të grupit parlamentar të Partisë Socialiste t’i uroj punë të mbarë drejtuesit të ri të Prokurorisë së Posaçme.

Një proces siç i ka hije një vendi që konsolidon ditë pas dite institucionet e drejtësisë. Në mes 4 kandidatëve, njëri prej tyre u zgjodh të drejtojë këtë institucion të rëndësishëm të drejtësisë, për të cilën jemi krenar, sepse kemi dhënë kontribut të pazëvendësueshëm në të gjithë reformën në drejtësi.

Dhe i uroj që të çojë më tej punët e mira të nisura nga drejtuesi që sapo përfundoi mandatin, zoti Dumani, në krye të këtij institucioni.

I vaftë mbarë gjithë prokurorëve të Prokurorisë së Posaçme.

Faleminderit

 

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu