
Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste dhe Drejtuesi Politik i PS për Diasporën, Taulant Balla ka përcjellë një urim me video për shqiptarët kudo që ndodhen, nga Sheshi Skënderbej në Tiranë, vetëm pak orë para ndërrimit të viteve.
Në mesazhin e tij, Balla uroi Gëzuar Vitin e Ri 2026 për shqiptarët në Shqipëri, në trojet etnike dhe veçanërisht për bashkatdhetarët në diasporë, duke theksuar rolin historik të votës së emigrantëve gjatë vitit 2025.
“U takon vëllezërve e motrave tanë në diasporë një urim i veçantë, edhe për shkak se gjatë vitit 2025 ata patën mundësinë për herë të parë në këto 35 vite demokraci të shprehen me votë për drejtimin që ata duan të ecë Shqipëria. Vota e bashkatdhetarëve në diasporë në vitin 2025 ishte padyshim një moment historik për Shqipërinë.”
Sipas Ballës, gjatë vitit 2026 do të intensifikohen kontaktet me diasporën, si dhe angazhimet për ruajtjen e gjuhës dhe identitetit kombëtar.
“Ne dimë ta lexojmë shumë mirë votën e tyre dhe padyshim që gjatë vitit 2026 do të vazhdojmë të intensifikojmë kontaktet tona me gjithë shqiptarët që jetojnë në diasporë dhe të sigurojmë që çdo fëmijë shqiptar që lind në diasporë të ketë mundësinë të mësojë gjuhën shqipe.”
Mesazhi u shoqërua me përqafime vëllazërore dhe mirënjohje nga Sheshi Skënderbej, simboli i unitetit kombëtar, në prag të Vitit të Ri.
“Dua që shqiptarëve në Itali, në Greqi, në Gjermani, në Britaninë e Madhe, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në Kanada, apo kudo gjetkë nëpër botë, t’i uroj Gëzuar Festat e Fundvitit, me mirënjohjen më të thellë dhe me përqafime vëllazërore nga sheshi i shqiptarëve, Sheshi Skënderbej.”




