Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin njëherësh drejtues politik i Partisë Socialiste për Diasporën bëri thirrje sot për qytetarët shqiptarë jashtë vendit që të regjistrohen për të votuar më 11 maj.
“Kush është jashtë dhe dëshiron të marrë pjesë në zgjedhje, duke votuar me postë nga aty ku banon, duhet të regjistrohet që të marrë fletën – votimit në adresën e tij/saj dhe pastaj ta rikthejë me atë postë”, thekson ai.
“Ne e mbajtëm fjalën dhe e miratuam ligjin për votimin nga jashtë vendit, tani është radha juaj të na jepni mbështetjen që të vazhdojmë përpara Bashkë për Shqipërinë 2030”, shkruan Balla në një postim në rrjetet sociale.
Regjistrimi bëhet deri në datën 4 mars, në faqen zyrtare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Qytetari duhet të caktojë opsionin votues nga jashtë dhe hapi i parë është ai i verifikimit të numrit të telefonit. Pasi të ketë pozicionuar portretin përballë lentës së kamerës, qytetari duhet të konfirmojë identitetin nëpërmjet tipareve të fytyrës duke bërë një selfie. Hapi i fundit që pason është të shtohet karta e identitetit.
Në vijim KQZ do dërgojë fletën e votimit dhe materiale udhëzuese nëpërmjet shërbimit postar.